Atleti mitrovicas, Muhamet Ramadani, ka arritur sukses të madh të enjten. Ai ka fituar medaljen e artë në Evropianin U20 që po mbahet në Tallin të Estonisë.
Ramadani kishte hedhjen më të mirë të gjyles 6 kilogramë prej 19.92 metrash. Këtë rezultat e arriti në hedhjen e gjashtë. Në hedhjen e parë kishte rezultat prej 19.80 metrash. Më pas kishte një dështim, hedhje prej 19.78 metrash dhe në hedhjen e katërt sërish kaloi vijën. Në hedhjen e pestë arriti rezultatin prej 19.90 metrash. Dhe në hedhjen e fundit e theu sërish rekordin personal dhe të Kosovës për U20, me hedhje prej 19.92 metrash.
Ramadani ka pasur disa tituj të Ballkanit për grupmoshat e reja dhe tani ka shtrirë dominimin edhe në Evropë.
Është ky suksesi më i madh i atletikës kosovare deri tani. Ndërkohë Ramadani ka dëshmuar se potenciali i tij është shumë i madh.
I dyti ishte Ilya Misouski me rezultatin më të mirë prej 19.49 metra. Gjermani Claudio Sotessel fitoi të bronztën me rezultat 19.43 metra. Ramadanit i ka takuar medalja e parë në Evropianin U20.
Edhe
Ramadani ka udhëtuar për medalje të artë botërore në Keni
Ramadani ka thënë për KOHËN se ndihet krenar dhe i lumtur për suksesin e arritur në Tallin të Estonisë. Ai pranoi se kjo është medalje me peshën më të madhe në karrierën e tij, dhe thotë se do ta motivojë për të vazhduar punën drejt sukseseve tjera. Ramadani tha se ka pritur të stoliset me medaljen e artë, por pranoi se aspak nuk ka qenë e lehtë për shkak se konkurrenca ishte shumë e fortë.
“Kam pritur ta fitoj medaljen e artë, pasi kam stërvitur shumë për këtë kampionat, i cili ka peshë të madhe. Natyrisht, nuk ka qenë aspak lehtë sepse konkurrenca ka qenë shumë e fortë, duke pasur parasysh se kishte garues nga 52 shtete pjesëmarrëse. Kështu që, jam krenar dhe i lumtur që arrita ta fitoj medaljen e artë dhe ta prezantoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Ramadani. “Pa dyshim se kjo është medalja më e rëndësishme në karrierën time. Ky sukses do të më motivojë edhe më shumë për suksese e tjera në vazhdim. Kam qenë maksimalisht i përgatitur dhe synimi im i vetëm ishte të siguroj medalje nga kjo ngjarje e madhe e atletikës”.
Ramadani para dy vjetësh pati triumfuar edhe në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), të mbajtur në Baku të Azerbajxhanit. Për Kosovën, ky sukses ishte i pari në këtë festival olimpik. Ai gjithashtu doli i artë edhe në Kampionatin e Ballkanit për grumposhën U20 që u mbajt muajin e shkuar në Stamboll të Turqisë.
Suksesit të Ramadanit i është gëzuar edhe Federata Atletike e Kosovës (FAK). Sekretari i përgjithshëm i kësaj federate ka thënë se medalja e artë e Ramadanit në U20 është më e madhja në historinë e sportit të atletikës në Kosovë.
“Ky është një sukses jashtëzakonisht i madh për atletikën në Kosovë. Në të vërtetë, kjo është medalja më e madhe në historinë e atletikës sonë, dhe natyrisht që jemi të lumtur dhe krenarë me përfaqësimin fantastik të Muhametit në Tallin. Realisht, e kemi paraparë një sukses të tillë duke u bazuar në rezultatet e mira të Ramadanit, por jemi munduar të qëndrojmë me këmbë në tokë”, është shprehur Shkodra.
Ai tha se muajin e ardhshëm Ramadani do ta përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Botëror U20 që do të mbahet në Najrobi të Kenisë, e ku beson se medalja nuk do të mungojë për atletin mitrovicas.
“Ky sukses do të jetë motivim shtesë për Ramadanin, i cili muajin tjetër do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për grupmoshën U20 në Nairobi të Kenisë. Kështu që, edhe prej Kenisë besojmë se Ramadani do të kthehet me medalje”, ka shtuar Shkodra.
Edhe Ramadani ka pranuar se pas medaljes së artë në Evropianin U20, synimi i tij i radhës është medalja me ngjyrën e njëjtë në Botërorin e kësaj gjenerate.
Edhe
Atleti Ramadani kërkon suksesin edhe në Botëror pas të artës në Evropian
Pas suksesit të Ramadanit në Tallin, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), që nëpërmjet një postimi në rrjetin social e ka përgëzuar atletin për medaljen e artë.
“Bravo Meti, kampion i Evropës U-20. Muhamet Ramadani është bërë kampion i Evropës U-20, në evropianin që po mbahet në Talin të Estonisë. Atleti ynë fitoi medaljen e artë në hedhjen e gjylës 6 kilogramë. Rezultati më i mirë i tij në finale ishte 19.92 metra. Ai la kundërshtarët e tij prapa për më shumë se gjysmë metri. KOK-u përgëzon suksesin e madh të Ramadanit, trajnerit të tij Shabanit dhe gjithë komunitetit të atletikës”, ishte reagimi i menjëhershëm i KOK-ut në “Facebook”.