Sport

Pasi vazhdoi dominimin në Ballkanik, Ramadani shpreson për suksese edhe në garat më të mëdha

Për herë të tretë Muhamet Ramadani e ka fituar medaljen e artë në hedhje të gjyles në Kampionatin Ballkanik U20.

Suksesin që vjet e arriti në Ballkanikun në palestër dhe atë në ambient të hapur, atleti mitrovicas e përsëriti të shtunën në Ballkanikun U20 në palestër, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Në vitin 2019, Ramadani kishte fituar medalje të bronztë ballkanike, në Kampionatin U-20 në palestër. Në këtë garë tashmë duket i pakonkurrencë, por Ramadani synon shumë më tepër.

Ai beson se po bëhet gati për suksese në gara më të mëdha, kampionate evropiane e botërore. Vjet për shkak të pandemisë nuk u mbajt Botërori U20, ku Ramadani ka shpresuar për sukses. Për sivjet në program janë kampionatet evropiane e botërore dhe atleti masiv nga Mitrovica shpreson të marr pjesë.

Ramadani ishte bërë emër i njohur i atletikës me suksesin e arritur në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, në Baku në vitin 2019, ku fitoi medaljen e artë. Ai tashmë ka pesë medalje ndërkombëtare, ndërsa po punon për shumë më tepër. Muhamet Ramadani punon nën përkujdesjen e madhe të babait dhe trajnerit të tij, Shabanit.

“Jam i lumtur që kam fituar medaljen e katërt ballkanike, të tretën të artë. Konkurrenca ka qenë e fortë”, ka thënë Ramadani për KOHËN, të dielën.

Kosova në Ballkanik ka pasur sukses vetëm në hedhje të gjyles, ndonëse mori pjesë në shumë disiplina. I treti në këtë disiplinë ishte Alaudin Suma. Mes Ramadanit e Sumës hyri turku Savash Parlak. Gjylen me peshë 6 kilogramë e hodhën shtatë garues.

Ramadani hedhjen më të mirë e kishte 17.87 metra. Parlak kishte rezultat 17.49 metra, ndërsa Suma 17.33 metra. Rezultati është larg standardit të Ramadanit, ndërsa ai fajëson terrenin e keq që i ka penguar të gjithë garuesit.

“Po punoj shumë për suksese edhe më të mëdha, për medalje. Më presin tri gara të tjera, një kampionat ballkanik, një evropian dhe një botëror. Për fat të keq vjet nuk u mbajt Botërori U20 për shkak të pandemisë. U shty për këtë vit për muajin gusht”, ka treguar Muhamet Ramadani.

Me një të artë e një të bronztë, Kosova u rendit e teta në mesin e vendeve më të suksesshme. Turqia fitoi 15 medalje, prej tyre pesë të arta. Pesë të arta dhe 15 medalje në total i kishte edhe Rumania, e renditur e dyta. Pasojnë Ukraina, Sllovenia, Serbia, Kroacia e Armenia. Pas Kosovës mbetën Austria, Qipro, Bullgaria, Shqipëria, Moldavia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Medalje nuk fituan vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Shqipëria fitoi të argjendtë me Redia Dauti në vrapimin 3000 metra.

Prej garuesve të Kosovës, Armel Qovanaj u rendit i fundit (15) në vrapim 60 metra me rezultat 7.41 sekonda. Në vrapim 800 metra, Leon Thaqi ishte i pesti me kohë 1.57.29 minuta dhe Florian Berisha i teti me kohë 1.59.74 minuta. Morën pjesë nëntë garues.

Sara Susuri në 60 metra u rendit e 11-ta me rezultat 8.08 sekonda. E 12-ta ishte Duarza Ibanja me kohë 8.14 sekonda. Pas tyre mbeti vetëm një maqedonase. Në 3000 metra, Odeta Belegu kishte kohë 13.08.03 minuta, që i mjaftoi për vendin e 11-të, përkatësisht të fundit prej atyre me rezultat. Dy atlete nuk e përfunduan garën.

Federata e Atletikës e Kosovës, si zakonisht, ka njoftuar për medaljet e Ramadanit dhe Sumës, por jo edhe për rezultatin e të tjerëve.