Zgjedhjet lokale

Supremja refuzon katër ankesa të kandidatëve për asamble komunale

Gjykata Supreme

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuara katër ankesa të kandidatëve për asamble komunale në Prishtinë, Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë të Veriut, të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, në rastin e parë, kandidati i subjektit “Lidhja për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, pati kontestuar mënyrën e zbatimit të kuotës gjinore, duke pretenduar se ajo ishte aplikuar “mekanikisht” dhe pati rezultuar në përjashtimin e një kandidati me më shumë vota. Gjykata konstatoi se zbatimi i kuotës është bërë në përputhje me ligjin dhe nuk cenon vullnetin e votuesve.

Në rastin e dytë, kandidati i PDK-së në Podujevë, Isuf Osmani, pati ngritur ankesë për çështje të ngjashme. Gjykata vlerësoi se pretendimet e tij nuk qëndrojnë ligjërisht, pasi çdo ndryshim në ndarjen e mandateve do të cenonte përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar.

Ndërsa, në rastin e tretë, Gjykata refuzoi ankesën e PSHDK-së në Klinë, të paraqitur nga kryetari Tush Berisha dhe kandidatja Anduena Culaj, të cilët kanë kërkuar rishpërndarje të mandateve. Sipas Gjykatës, ndarja e ulëseve në kuvendet komunale varet nga rezultati i votave brenda secilit subjekt, duke respektuar kuotën minimale gjinore.

Në rastin e katërt, kandidati Nedzad Uglanin nga subjekti Iniciativa për Mitrovicën e Veriut pati kërkuar rishqyrtim të vendimit të PZAP-së lidhur me përcaktimin e numrit të banorëve rezidentë. Gjykata Supreme vlerësoi se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe nuk kishte shkelje të të drejtave zgjedhore apo të parimeve themelore të procesit.

Me këto vendime, Gjykata Supreme ka konfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të PZAP-së dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në trajtimin e çështjeve që lidhen me shpërndarjen e mandateve dhe zbatimin e kuotës gjinore në zgjedhjet lokale.