Sport

Ramadani ka udhëtuar për medalje të artë botërore në Keni

Atleti nga Mitrovica, Muhamet Ramadani, tundi kokën në shenjë pakënaqësie me të mësuar se sa larg e hodhi gjylen 6-kilogramëshe në Kampionatin Botëror U20, që po mbahet në Nairobi të Kenisë. Ramadani në gjysmëfinalen e hedhjes së gjyles 6 të mbajtur të mërkurën, ka përfunduar i katërti në renditjen e përgjithshme. Ai hedhjen më të mirë e pati në distancën 18.89 metra, që është më i dobët se rezultati i tij personal. Rekordi personal i atletit 19-vjeçar është 19.92 metra. Ndonëse nuk pati rezultatin e kërkuar, Ramadanit i mjaftoi kualifikimi për në finale, që zhvillohet të enjten prej orës 14:20 me kohën tonë lokale. Ai përfundoi i katërti në renditjen e përgjithshme në gjysmëfinale. Ramadani ka synim që nga Kenia të kthehet me medalje të artë.

“Në Nairobi kemi ardhur për medalje. Por në gjysmëfinale si duket nuk ishte dita e tij. Megjithatë, me rezultatin që e ka arritur, në stërvitje e hedh nga vendi. Por ky është sporti, ndodhin këto gjëra. E rëndësishme është që në finale ta demonstrojë atë që me të vërtetë di ta bëjë Meti. Qëllimi pra është medalja. Kemi ardhur për ta fituar medaljen dhe na mbetet të shohim nëse do të jetë dita e tij. Punën e kemi bërë në ushtrime, tash riskun ta cakton Zoti”, ka thënë trajneri i Muhametit, Shaban Ramadani, të mërkurën për KOHËN.

Shabani është babai i talentit Muhamet Ramadani. Në renditjen e përgjithshme, para Ramadanit në gjysmëfinalen e Botërorit U20 dolën Juan Vazquez Gomez i Kubës (19.66 metra), bjellorusi Yahueni Bruhi (19.28 metra) dhe Semen Borodayev.

Ramadani në Botërorin që po mbahet në Nairobi të Kenisë është kualifikuar me normë botërore. Muajin e shkuar, Ramadani arriti suksesin më të madh në karrierë. Ai më 15 korrik e fitoi medaljen e artë në Evropianin U20, të mbajtur në Tallin të Estonisë. 18-vjeçari, në Tallin e kishte hedhjen më të mirë të gjyles 6-kilogramëshe prej 19.92 metrash, rezultat ky që e arriti në hedhjen e tij të gjashtë. Në fakt, me rezultatin që ia siguroi medaljen e artë, Ramadani e theu edhe rekordin personal të Kosovës për U20. Ky sukses në Tallin ishte edhe më i madhi për atletikën kosovare. Ramadani ka pasur disa tituj të Ballkanit për grupmoshat e reja dhe tani ka shtrirë dominimin edhe në Evropë. Vetëm një muaj para suksesit në Tallin, Ramadani e fitoi të artën edhe në Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U-20 të mbajtur në Turqi, ndërsa i artë doli edhe në Ballkanikun në palestër, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. E në Nairobi, Ramadani po e kërkon të artën e katërt brenda këtij viti, që do të ishte një sukses jashtëzakonisht i madh. Tri medalje i fitoi edhe dy vjet më parë. E nisi me të bronztë në Kampionatin Ballkanik U-20, pastaj fitoi të artën në Ballkanikun U-18 dhe të artën në Festivalin Olimpik Evropian në Baku. I suksesshëm gjiganti mitrovicas ishte edhe në vitin 2020. Të dyja medaljet e arta ballkanike i fitoi në grupmoshën U-20 dhe të dyja në shtetin e Turqisë. Megjithatë, e arta e fituar në Evropianin U-20 mbetet më e rëndësishmja për atletin nga Mitrovica.

Hedhësi i gjyles, Ramadani, sukseset e fundit i ka arritur duke u stërvitur në një hapësirë të improvizuar në oborrin e shtëpisë së tij. Ndërkohë, vitin tjetër, shpresa e atletikës kosovare pritet të debutojë në grupmoshën U23.