Fitorja e së dielës mbrëma e Kosovës U20 ndaj Kroacisë U20 (63:60) është vlerësuar suksesi më i madh i deritashëm i përfaqësueseve të Kosovës në basketboll për femra.
Por menjëherë të hënën, basketbollistet e reja të Kosovës kanë pësuar një prej humbjeve më të thella deri më tani.
Kosova U20 u mposht në Shkup nga Mali i Zi me shifrat 100:35. Ndeshja i takoi Evropianit të Divizionit B.
Mali i Zi doli të jetë kundërshtar dukshëm më cilësor se Kroacia, ndërsa edhe paraqitja e vajzave kosovare nuk ishte në nivelin e së dielës.
Në çerekun e parë Kosova realizoi vetëm gjashtë pikë, ndërsa i pranoi plot 25. Edhe më i zbehtë ishte çereku i dytë që përfundoi 27:5 në të mirë të malazezeve dominante. Çereku i tretë përfundoi 24:15 për Malin e Zi, ndërsa i katërti 24:9.
Basketbollistet e Kosovës për asnjë moment nuk ishin rivale të barabarta me lojtaret e Malit të Zi.
Edhe
Basketboll, fitore e madhe e Kosovës U20 ndaj Kroacisë
Më efikasja te Kosova ishte Agnesa Rrahmani me tetë pikë. Por ajo kishte shumë gjuajtje të humbura e po ashtu tetë topa të humbur. Arbë Hashani i realizoi shtatë pikë, por i kishte plot tetë topa të humbur. Lojtarja më e mirë e Kosovës, Astera Tuhina i shënoi vetëm dy pikë, ndërsa kishte edhe shtatë kërcime e pesë asistime. Gjithsej lojtaret e Kosovës i kishin 38 topa të humbur, shifër që rrallë arrihet në basketboll. Dhe me një paraqitje të tillë, humbja e thellë ishte e pashmangshme.
Kosova të shtunën kishte pësuar 83:69 nga Maqedonia e Veriut. Të dielën arriti fitoren ndaj Kroacisë në ndeshjen dramatike, ndërsa të martën luan me Rumaninë.