Basketbollistet e Kosovës U18 kanë vazhduar me rezultate dëshpëruese në Kampionatin Evropian të Divizionit B në Lituani.
Të mërkurën paradite, Kosova U18 humbi 62:54 nga Azerbajxhani. Azerbajxhanaset e reja e fituan çerekun e parë me rezultat 15:11 dhe të dytin me rezultatin 17:14. Kosova e fitoi çerekun e tretë me rezultat 15:10 dhe u afrua në dy pikë pas 30 minutave, 42:40.
Por Azerbajxhani shfaqi më tepër edhe në çerekun e katërt, që përfundoi 20:14.
Malvina Haziri u dallua te Kosova me 14 pikë, tri kërcime e pesë topa të rrëmbyer. Elsa Shala i kishte nëntë pikë e nëntë kërcime, ndërsa nëntë pikë i shënoi edhe Gerta Hoti.
Kosova e përfundoi fazën grupore në Evropianin e nivelit të dytë me të gjitha humbje. Është mposhtur nga Ukraina, Lituania, Islanda, Bosnjë-Hercegovina dhe Azerbajxhani. Tani do të luajë për plasman prej pozitës së 17-të deri në pozitën e 21-të. 21 përfaqësuese po garojnë në Evropianin e Divizionit B në Vilnius.