Basketbollistet e Kosovës U20 kanë pësuar tjetër humbje të thellë në Kampionatin Evropian të Divizionit B, që po luhet në Rumani. Të enjten pasdite, Kosova U20 humbi me 61 pikë dallim nga Sllovakia, në ndeshjen për plasmanin e vendeve nga 9 deri në 17-të. Sllovakia fitoi me rezultatin 93:32, në “Sala Polivalenta Craiova” të Rumanisë.
Në çerekun e parë, Sllovakia pati epërsi prej 10 pikëve, 20:10. Në çerekun e dytë, Kosova u ndal në vetëm gjashtë pikë, 21:6. Periudhën e tretë, Kosova U20 e mbylli me 13-të pikë të realizuara, 27:13, ndërsa në atë të fundit, realizoi vetëm tri herë.
E humbi çerekun e fundit, 25:3. Asnjë basketbolliste e Kosovës nuk shënoi pikë dyshifrore.
Nga gjashtë pikë patën Astera Tuhina dhe Enisa Kamerolli. Nga pesë pikë realizuan Etna Rexhepi dhe Anile Selmani. Dy pikë shënuan Vanesa Bojku, Blerta Mehana, Alma Muzliukaj, Viola Syla dhe Rea Ukaj. Ndërkohë, te Sllovakia U20, Kamila Jarosova shënoi 14 pikë, pati shtatë kërcime dhe tri asistime. Të shtunën, Kosova luan kundër Bullgarisë, ndërsa të dielën zhvillon ndeshje me Austrinë. Kosova U20 deri tani ka pësuar humbje edhe nga Holanda, Kroacia dhe Sllovenia.