Sport

Pas shumë mbledhjeve e vendimeve, finalja do të nisë në “Minatorin” e stërmbushur

Në bazë të vendimit që të hënën e mori Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndeshja e parë finale e plejofit do të duhej të luhej të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Por, është Trepça që do ta organizojë ndeshjen e parë finale të plejofit ndaj Pejës.

Ndeshja e parë finale zhvillohet të mërkurën prej orës 20:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Nikoqire e ndeshjes së parë është Trepça, që po ashtu do ta ketë përkrahjen e shikuesve në ndeshjen e tretë dhe në ndeshjen e pestë eventuale.

Vendimi i Komisionit të Garave u rrëzua që të hënën nga Komisioni Arbitrar i FBK-së. Por vendimi i Arbitrazhit u bë publik vetëm të martën. Në bazë të tij, Trepçës i takon përparësia e terrenit në ndeshjen e pestë eventuale të finales së plejofit.

Terreni vendas vlerësohet me shumë rëndësi në basketbollin kosovar. Dhe për këtë skuadrat finaliste, Trepça e Peja, kanë insistuar që të luajnë para shikuesve të tyre ndeshjen e parë, të tretë e po ashtu ndeshjen e pestë eventuale.

Ka pasur paqartësi për faktin se Trepça në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Sigal Prishtinën. Në pjesën e rregullt të kampionatit Prishtina ishte e para, Peja e dytë dhe Trepça e katërta. Komisioni i Garave vlerësoi se Peja, pasi ka përfunduar më lartë se Trepça në edicionin e rregullt, e ka përparësinë e terrenit në serinë finale. Ndryshe propozicionet i interpretoi Arbitrazhi, që vlerësoi se pasi Trepça ka mposhtur Sigal Prishtinën, ka marrë të drejtën e saj për avantazhin e terrenit vendas.

Një situatë e tillë kishte ndodhur dy vjet më parë. Peja ishte e katërta në edicionin e rregullt dhe eliminoi Ponte Prizrenin që ishte i pari në edicionin e rregullt. Dhe në serinë finale, Peja kishte përparësinë e terrenit vendas ndaj Yllit, ani pse ekipi nga Suhareka përfundoi më lart në edicionin e rregullt. Sa i takon kësaj pike, propozicionet e garave nuk kanë ndryshuar prej atëherë.

Pas vendimit të Komisionit të Garave, Trepça paraqiti ankesë në Arbitrazh. Dhe ankesa e klubit mitrovicas u aprovua. Vendimi i Komisionit të Garave u anulua dhe u caktua orari i ri.

Ndeshja e parë, Trepça – Peja, luhet menjëherë të mërkurën prej orës 20:00. Trepça ka njoftuar se biletat, që pritet të shiten për pak minuta, i nxjerr në shitje në ora 11:00.

Të dielën është ndeshja Peja – Trepça e më 11 maj ndeshja e tretë në Mitrovicë. Nëse seria nuk përfundon pas tri ndeshjesh, luhet takimi i katërt dhe eventualisht i pesti. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione.

Me vendimin e arbitrazhit nuk po pajtohet Peja. Klubi pejan ka konfirmuar se do të luajë ndeshjen në Mitrovicë, ndërsa ka paralajmëruar ankesë në instanca më të larta.

Në FBK ankesa e Pejës është refuzuar.

Është Bordi i FBK-së që ka shqyrtuar kërkesën e Pejës për mbrojtje të ligjshmërisë. Peja ka pretenduar se vendimi i Komisionit Arbitrar përmban shkelje materiale të propozicioneve të garave.

“Bordi i FBK-së ka konstatuar se vendimi i Komisionit Arbitrar nuk ka bërë shkelje materiale të Propozicioneve të Garave apo akteve tjera normative të FBK-së”, thuhet në vendimin e Bordit të FBK-së.

Situata e krijuar për terminët e ndeshjeve finale vetëm konfirmon se FBK-ja dhe organet e saj po përballen me shumë sfida të mëdha gjatë këtij edicioni. Ndryshimi i vendimeve në shkallë të ndryshme nuk ka ndodhur për herë të parë.

Të gjitha përplasjet, që përcillen me tensione të tjera, shpresohet t’i lënë vend basketbollit dhe lojës së bukur prej së mërkurës mbrëma.