Shtatë xhiro më parë, Llapi ishte në zonën për mbijetesë në elitën e futbollit të Kosovës. Kishte vetëm tri pikë të fituara. Ndërsa tani është vetëm katër pikë larg Gjilanit dhe Dritës, që kanë pikë të njëjta në krye të tabelës.
Në shtatë xhirot e fundit Llapi ka shfaqur formë të lartë. Ka fituar plot 18 pikë. Është në seri prej gashtë fitoreve në shtatë ndeshje.
Fitoren e fundit Llapi e arriti të dielën, me përmbysje të rezultatit ndaj Ballkanit. Llapi fitoi me rezultat të thellë, 4:1. Skuadra llapjane është ngritur në vendin e katërt me 21 pikë, ndërsa Gjilani dhe Drita kanë nga 25. Me 24 pikë në vendin e tretë ka mbetur Ballkani.
Seria e mirë e Llapit e ka gëzuar trajnerin Tahir Batatina. Ai madje thotë se Llapi tani është kandidat serioz për titull të kampionit.
“E kam besuar se Llapi do të rikthehet fuqishëm. Shumëkush nuk kanë besuar, por unë kam besuar. Edhe atëherë ka qenë në trurin tim dhe të lojtarëve që ne mund të rikthehemi. Kemi bërë maksimumin për t’u rikthyer dhe jemi skuadra me formën më të mirë si me lojë ashtu edhe rezultate. Kemi bërë ndeshje të bukura, kemi bërë fitore me katër gola dhe gjashtë gola. Po luajmë mençur taktikisht dhe nëse vazhdojmë kështu mençur në defensivë, mund t’i mposhtim të gjitha ekipet”, ka thënë Batatina të dielën për KOHËN. Ai insiston se ka besuar në ngritje të skuadrës.
“Edhe kur i kemi pasur tri pikë, unë kam besuar në rikthim. Kam mbajtur moralin e ekipit lart edhe pse kemi qenë të penalizuar me fushën që nuk po mund ta shfrytëzojmë shkaku i rinovimit. Por unë kam kërkuar nga lojtarët maksimumin, sepse nuk ka munguar asnjëherë besimi se mund të rikthehemi. Unë kam besuar te lojtarët, lojtarët tek unë dhe bashkërisht ia kemi dalë të rikthehemi. Llapi është kthyer aty ku e meriton të jetë. Kryesia na ka qëndruar pranë gjatë tërë kohës dhe ka pasur qetësi si nga ana e saj ashtu edhe nga ne”, është shprehur Batatina.
Në fakt, Llapi është kritikuar shumë për mënyrën se si luante. Më së shumti kritika ka marrë trajneri Batatina. Shpeshherë në opinion është vënë në dyshim puna e tij. Por Batatina ka vazhduar punën te klubi ku është kryesori. Ai thotë se ka ndikim të madh në rezultatet e Llapit.
“Ekipi është kuptuar, lojtarët kanë kuptuar filozofinë e Llapit. Kam skuadër me moshë të re dhe ndryshimet që po bëj në lojë po rezultojnë pozitivisht. Dua të them që lojtarët i kam mbajtur me moral të lartë dhe kjo ka ndikuar të kthehemi me rezultate. Llapi aplikon një lojë krejtësisht më ndryshe se skuadrat tjera të Superligës. Është skuadër më ofensive, kërkojmë të luajmë lojë me pasime të shpeshta dhe lojë edhe për shikues jo vetëm për vete. Nuk kemi mundur t’i aplikojmë për shkak të fushës jo të mirë, por jemi kthyer falë punës dhe angazhimit”, ka deklaruar Batatina.
I trimëruar nga rezultatet e fundit, Batatina thotë se Llapi do të jetë kandidat serioz për titull të kampionit.
Llapi ndeshjet si vendës është duke i zhvilluar në Merdar, meqë stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë është duke u rinovuar. Llapi pret t’i luajë në pranverë ndeshjet si vendas në Podujevë.
“Nëse shohim organizimin e klubit dhe kryesinë, mendoj se rikthimi në ‘Zahir Pajaziti’ pa dyshim se na fut në garë për titull të kampionit. Llapi e meriton ta sjellë titullin në Podujevë. Mendoj se pas tre trofeve të sezonit të kaluar meritojmë të jemi kampion. Rikthimi i Llapit e ka bërë interesant garën për titull të kampionit. Kampionati është i gjatë dhe ka ende pikë në lojë. Jemi katërt apo pesë ekipe që mund të garojnë për titull të kampionit”, është shprehur Batatina.
Për stinorin pranveror Batatina thotë se Llapit i bashkohet një lojtar nga Kameruni, emrin e të cilit nuk e ka bërë të ditur. Por, ai ka theksuar se bëhet fjalë për një lojtar të mirë që në të kaluarën ka luajtur në Superligën e Shqipërisë.
Batatina që ka udhëhequr Llapin drejt triumfit në Kupë edicionin e kaluar, ëndërron ta fitojë edhe titullin e kampionit.
“Asgjë tjetër nuk më kënaq përveç titullit, kam shijuar trofeun e Kupës, Superkupës, Kupës Mbarëkombëtare dhe do të ishim më të qetë po ta fitonim edhe titullin e kampionit. Ëndërroj që një ditë ta udhëheq Llapin drejt titullit të kampionit. Është ëndërr e imja”, ka thënë Batatina.