Kreshnik Hajrizi kishte sakrifikuar që të paraqitet për Kosovën U21 në një periudhë të vështirë. Mbrojtësi i qendrës aktualisht po luan te Chiaso në kategorinë e dytë të Zvicrës. Por, prej edicionit të ardhshëm do të luajë në elitën e Zvicrës, për skuadrën e Luganos. Ai synon që të paraqitet me sukses në Superligë dhe kështu të bëhet kandidat për një vend në përfaqësuesen seniore të Kosovës në futboll
Kreshnik Hajrizi ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Prej ekipit të vendit të fundit në kategorinë e dytë të Zvicrës ka kaluar tek ekipi i vendit të tretë në Superligën helvetike. Mbrojtësi i qendrës do të luajë vetëm deri në fund të edicionit për Chiasson. Synon ta ndihmojë skuadrën që të mbetet në kategorinë e dytë zvicerane. Në verë do t’i bashkohet Luganos, me të cilën skuadër ka firmosur tashmë. Lugano aktualisht mban vendin e tretë në Superligë dhe është në pozitë të mirë për të siguruar daljen në gara evropiane.
Hajrizi, që ka luajtur për Kosovën U21 më herët, thotë se lëvizja për në Lugano është një që e ka pritur shumë gjatë. Ai po e kompleton edicionin e dytë te Chiasso. Më herët ishte te të rinjtë e Young Boysit. Me ekipin U21 të Young Boysit luajti për tri edicione në kategorinë e tretë zvicerane. Me Luganon do të luajë në elitë.
Por, synimet e Hajrizit janë dukshëm më të mëdha. Me kalim në Superligë ai ia ka vënë syrin një vendi te përfaqësuesja A e Kosovës. Fakti se ka luajtur për Shpresat e Kosovës vetëm i ndihmon.
“Jam i kënaqur se si më kanë ecur gjërat këtë edicion. Kam luajtur mirë, por vend për vetëkënaqësi nuk ka. Duhet të vazhdoj të punoj shumë dhe të arrij më lart. Prej verës do të luaj për Luganon. Me këtë skuadër tashmë kam firmosur për tri vjet. I kam edhe tetë ndeshje me Chiasson dhe jam i fokusuar që të jap më të mirën. Në klub më kanë trajtuar shumë mirë dhe deri në momentin e fundit do të jap maksimumin”, ka thënë Hajrizi për KOHËN, të martën.
Ai pranon se kalimi në Superligë është hap i madh.
“Është hap i madh, por një hap për të cilin kam shpresuar shumë. Ekip i ri, trajner i ri dhe natyrisht do të jetë sfidë. Por e kam pritur këtë dhe duhet ta dëshmoj veten. Ka dy vjet që kam shpresuar për kalim në Superligë. Jam i gatshëm, por e di që duhet të punoj shumë”.
Për qendërmbrojtësin ishin interesuar disa skuadra elitare të Zvicrës. Ai ka kontratë deri më fund të qershorit. Lugano kishte shkuar hap tutje, bëri ofertë konkrete për Hajrizin dhe ai vendosi për këtë skuadër. Thotë se në repartin defanziv kjo skuadër shfaq nivel të lartë. Kjo do t’i ndihmojë 21-vjeçarit që të kompletohet si futbollist.
Hajrizi thekson se karriera te Chiasso i ka shërbyer shumë. Thotë se është rritur edhe si personalitet. I është dashur të jetojë i vetëm, larg familjes, por me përkrahje të madhe të njerëzve në klub.
Kreshnik Hajrizi ka synime për karrierë në ndonjë vend me futboll edhe më të zhvilluar se Zvicra. Por e di që rrugëtimi duhet të bëhet hap pas hapi. Ai i ka 12 ndeshje e dy gola për Zvicrën U17. Në tre vjetët e kaluar i ka luajtur tetë ndeshje për Kosovën U21. Hajrizi është i lindur në Zvicër, por prejardhjen e ka nga Shtimja.
“Me Shpresat e Kosovës më nuk kam të drejtë të luaj. Por synim të madh e kam që një ditë të luaj për Kosovën A. Të luaj për vendin tim është ëndërr. Skenari më i mirë do të ishte që të paraqitem me sukses në Superligë dhe kështu të bëj vend te Kosova A. E di që nuk është e lehtë, por e di që kalimi në Superligë i rrit gjasat. Me punë çdo gjë është e mundur. Unë jam shumë i kënaqur që kam pasur rastin të luaj me U21 të Kosovës dhe kështu të jap kontributin. Por shpresoj që të luaj edhe me të rriturit. Do të ishte sukses shumë i madh për mua”, ka theksuar Hajrizi.
Në Superligën e Zvicrës luajnë shumë futbollistë shqiptarë. Kosova vazhdimisht furnizohet me lojtarë për përfaqësuese nga ky kampionat. Tani Hajrizi është një kandidat tjetër.
Në vjeshtë të vitit të kaluar, kur shumë lojtarë nuk iu përgjigjën ftesës nga Kosova U21, Hajrizi së bashku me Eris Abedinin vendosën të jenë nën urdhrat e Rafet Prekazit, me gjithë faktin se do të duhej të karantinoheshin pas kthimit në Zvicër. Një sakrificë të tillë jo të gjithë e pranuan. Hajrizi ishte infektuar me koronavirus gjatë qëndrimit në Kosovë. Ishte dashur të izolohej dhe nuk ishte në skuadër për ndeshjen ndaj Andorrës.
Ai ka dëshmuar se dëshira për të luajtur për Kosovën nuk i mungon. Tani vetëm i mbetet që të arrijë nivelin e kërkuar sportiv.