Goli i bukur i Kreshnik Hajrizit, i shënuar me goditje me kokë, ia ka siguruar fitoren 2:1 Sionit ndaj Zurichut, të shtunën.
Për mbrojtësin e Kosovës, Hajrizin, ishte goli i parë këtë edicion në Superligën e Zvicrës. Ai ka edhe një asistim në 27 paraqitje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor golat dhe asistimet nuk janë detyrë parësore e 26-vjeçarit. Ai luan në qendër të mbrojtjes dhe po paraqitet shumë mirë këtë edicion. Është i pazëvendësueshëm te Sioni, ndërsa ka munguar vetëm në ndeshjet kur ishte i suspenduar për shkak të kartonëve.
Goli i së shtunës natyrisht rrit vetëbesimin e Hajrizit. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për Kosovën në prag të ndeshjes vendimtare me Sllovakinë, më 26 mars në Bratislavë. Ajo ndeshje është gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti.
Hajrizi është prej opsioneve të përzgjedhësit Franco Foda për të startuar në qendër të mbrojtjes te Kosova. Ai ishte paraqitur me sukses të plotë në fitoren 1:0 ndaj Suedisë më 13 tetor të vitit të kaluar. Në ndeshjet tjera të tetorit e nëntorit, që i takuan kualifikimeve të rregullta për Botërorin 2026, qëndroi në stol.
Kosovës i mungon kapiteni dhe lideri i mbrojtjes, Amir Rrahmani. Të tjerë mbrojtës po kanë sfida së fundi dhe rrjedhimisht Hajrizi pritet të jetë i vlefshëm në plejof.
“Jam shumë i kënaqur me këtë gol, pasi na siguroi fitoren dhe tri pikë të rëndësishme në garë për kualifikim në Evropë. Jam po ashtu shumë i kënaqur me paraqitjet personale deri më tani. Por edhe i kënaqur me lojën e ekipit në këtë edicion”, ka thënë Hajrizi të dielën për KOHËN.
Ai është në edicionin e dytë te Sioni. Më herët ka luajtur për Lodzin në Poloni, si dhe për Luganon e Chiasson në Zvicër. Si futbollist, Hajrizi është zhvilluar tek Young Boysi dhe disa ekipe më të vogla zvicerane. Ai ka luajtur për Zvicrën U17 e më pas luajti për Kosovën U21. Për Kosovën A i ka pesë ndeshje deri më tani.
“Ndeshja ndaj Sllovakisë është hapi i madh drejt arritjes së qëllimit që e ka i gjithë kombi. Natyrisht, të gjithë e presim ndeshjen me padurim dhe nëse do Zoti e kalojmë me sukses. Personalisht ndihem mirë dhe jam gjithmonë i gatshëm ta përfaqësoj shtetin tim”, ka theksuar Hajrizi.
Është forma e bashkëlojtarëve te Kosova që e trimëron Hajrizin para ndeshjes me sllovakët.
“I kemi 90 minuta që të tregojmë se çka jemi në gjendje të bëjmë për të arritur qëllimin tonë. Kur po i shoh paraqitjet e bashkëlojtarëve te Kosova, po e kuptoj që jemi gati të përballojmë ndeshje të mëdha si kjo që kemi para”.
Hajrizi ka kontratë me Sionin deri në verën e vitit 2028. Dhe është plotësisht i fokusuar që ta përfundojë me sukses këtë kampionat.
“Për momentin po ndihem shumë mirë. Klubi po më beson dhe jemi duke bërë kampionat të mirë. Shpresoj të kualifikohemi në Evropë dhe më pas do të shohim çka më pret”, ka thënë Hajrizi.
Benjamin Kololli, Rilind Nivokazi dhe Donat Rrudhani janë shqiptarët e tjerë të Sionit. Kololli shënoi nga penalltia të shtunën ndaj Zurichut.