Më 21 maj të vitit të kaluar Benjamin Kololli e kishte shënuar golin e fundit me skuadrën e Zuerichut në elitën e futbollit zviceran. Zuerichu kishte fituar kundër Vaduzit me shifrat 4:1, ndërsa Kololli kontribuoi edhe me një asistim.
Pas përfundimit të edicionit të shkuar futbollisti i Kosovës iu bashkua skuadrës së Shimizus në elitën e futbollit të Japonisë. Por, me skuadrën e re Kololli shënoi golin e parë vetëm në fundjavën e kaluar, në Kupën e Ligës. Goli i Kolollit ndihmoi Shimizun të shënojë fitore në udhëtim ndaj Sanfrecce Hiroshimas me rezultatin 2:1. Ky gol i kishte munguar Kolollit për një kohë të gjatë, si dhe kishte ndikuar negativisht në karrierën e 29-vjeçarit që me Kosovën ka 23 ndeshje dhe katër gola të shënuar.
“Nuk kisha shënuar për dhjetë muaj ndoshta. Si lojtar sulmues dhe i fazës ofensive, është gjithmonë e rëndësishme ta gjesh mënyrën për të shënuar gol, sepse e di që njerëzit e presin këtë. Unë gjithmonë mundohem ta ndihmoj skuadrën aq sa mundem dhe çdo ditë punoj fort, njësoj si të tjerët. Pas golit gjithmonë ndihesh shumë më mirë”, ka thënë Kololli për faqen zyrtare të klubit japonez.
Kololli është trimëruar pas golit të shënuar në Kupë. Ishte një gol shumë i bukur nga distanca, ndërsa gjuajtja ishte shumë e fuqishme dhe e saktë. Ai shpreson që suksesin e arritur në Kupë ta vazhdojë edhe në ligë. Në fundjavë Shimizu luan në udhëtim te Kashima Antlers, në kuadër të xhiros së gjashtë të elitës së futbollit japonez. Shimizu në ligë mban pozitën e 15-të, me pesë pikë të tubuara pas po aq ndeshjeve të luajtura.
“Tani çdo gjë është në anën tonë. Në vikend shkojmë pas fitores së madhe. Duhet të punojmë mirë në këtë javë, ta analizojmë kundërshtarin dhe të kemi vetëbesim. Po e pres golin e parë në ‘J-League’, kështu që shpresoj të vijë sa më shpejt që është e mundur”, u shpreh Kololli. “Unë pranova një top të mirë, në një pozitë të mirë. Kam gjuajtje të mira dhe e shfrytëzova rastin. E shënova golin tim të parë dhe jam shumë, shumë i lumtur. Më ndihmojnë shumë edhe komentet e mira të njerëzve në rrjetet sociale”.
Kololli fitoren e fundjavës së kaluar e ka vlerësuar si një prej paraqitjeve më të mira deri tani në edicionin e ri të futbollit japonez. Për të dhe gjithë skuadrën, thotë se e rëndësishme ka qenë vetëm fitorja.
Edhe
Kololli ndihet krenar që do të luajë për Baselin, a do të kthehet te Kosova?
“Për ekipin dhe mentalitetin është shumë e rëndësishme kur e fiton ndeshjen, sepse kur humb vazhdimisht atëherë nis të dëshpërohesh dhe të mos ndihesh mirë. Me këto tri pikë mendoj se jemi gati për të shkuar në formën më të mirë për këtë vikend”, përfundoi Kololli.
Kololli karrierën si futbollist në nivel klubesh e ka nisur te Monthey, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Sioni, Le Monti, Biel-Bienne, Young Boysi, Lausanne-Sport, për t’u transferuar më pas te Zuerichu, ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës. Te Zuerichu realizoi 26 gola dhe pati 16 asistime në 92 ndeshje të luajtura në total. Ai së fundmi e ka rinovuar kontratën me Shimizun dhe do të jetë pjesë e ekipit japonez deri në fund të vitit 2024.