Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kololli i gatshëm për t’u kthyer në futbollin evropian

Pas dy vjetësh e gjysmë në Japoni, Benjamin Kololli është i gatshëm për t’u kthyer në futbollin evropian për ta vazhduar karrierën.

Ish-reprezentuesi i Kosovës, Kololli, veçse është në kërkim të një sfide të re dhe po i pret ofertat nga skuadrat evropiane. Nuk përjashton as rikthimin në futbollin zviceran, ku edhe bëri emër si lojtar.

“Nuk do ta mbylli asnjë derë në Evropë, qoftë edhe në futbollin e Zvicrës ku kam luajtur gjatë pjesës më të madhe të karrierës sime”, ka thënë Kololli për gazetën zvicerane “DayFR” të mërkurën.

31-vjeçari ka disa ditë që është kthyer në Zvicër dhe është lojtar i lirë, pasi këtë muaj i ka skaduar kontrata me ekipin japonez, Shimizu S-Pulse.

Në 50 ndeshje të luajtura për Shimizu S-Pulse në total, Kololli ka kontribuar me shtatë gola dhe dy asistime. Ka kohë që ka luajtur fare pak për skuadrën japoneze, që këtë edicion është në kategorinë e dytë.

Edhe Kololli ndihet krenar që do të luajë për Baselin, a do të kthehet te Kosova? Sport Kololli ndihet krenar që do të luajë për Baselin, a do të kthehet te Kosova?

Megjithatë, për aventurën në futbollin e Japonisë, Kololli ka vetëm fjalë pozitive. Madje vlerëson se niveli i futbollit në Japoni është dukshëm më i lartë se ai në elitën e futbollit zviceran.

“Niveli është shumë më i lartë dhe unë jam i kënaqur në çdo aspekt që kam qenë pjesë e futbollit të Japonisë gjatë kohës sa ishte te Shimizu”, ka thënë Kololli.

Për përvojën e parë jashtë Zvicrës, Kololli thotë se ka mësuar shumë gjëra të rëndësishme për jetën. Sidomos në lidhje me mirësinë e njerëzve.

Derisa është në pritje të ofertave, lojtari i krahut të majtë beson se muajin tjetër do të bëhet me klub të ri në Evropë. Është i bindur se ofertat nuk do t’i mungojnë, por një herë dëshiron të pushojë dhe po e pret hapjen e afatit kalimtar të janarit. Gjasat janë të mëdha që Kololli të bashkohet me ish-ekipin e tij, Lausanne-Sport, për të cilin luajti dy edicione (2016-2018). Në krye të ekipit është trajneri Ludovic Magnin, i cili e njeh Kolollin pasi e kishte lojtar te skuadra e Zuerichut.

Edhe Kololli vazhdon me Sionin Futboll Kololli vazhdon me Sionin

Lausanne mund ta ketë konkurrencë skuadrën e Baselit, të cilën e udhëheq ish-trajneri i Kolollit te Sioni, Fabio Celesti dhe që njeh mirë aftësitë e futbollistit të krahut.

Kololli në verën e vitit 2021 u largua nga Zuerichu për t’u vendosur në Japoni, ndërsa ka qenë edhe pjesë e skuadrave Biel-Bienne, Young Boys e Le Mont. Ka 24 paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën ka shënuar edhe katër gola. Ai me Kosovën debutoi në nëntor të vitit 2016, por nuk është ftuar nga qershori i vitit të shkuar, kur ishte për duelet e Ligës së Kombeve dhe luajti 33 minuta në humbjen ndaj Greqisë.