Sulmuesi i krahut, Benjamin Kololli, ka zyrtarizuar të martën kthimin në Superligën e Zvicrës. Pas largimit nga Japonia, ku ishte prej verës së vitit 2021, 31-vjeçari firmosi me Baselin, një prej skuadrave më të mëdha në Zvicër.
Baseli e ka prezantuar si lojtar me përvojë dhe të fortë fizikisht. Kololli ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Ai në Japoni ka luajtur për skuadrën Shimizu S-Pulse, që këtë edicion garon në kategorinë e dytë. Por Kololli është aktivizuar pak. Nga Shimizu është larguar pas mbarimit të kontratës. Ai e njeh shumë mirë Superligën e Zvicrës. I ka 150 ndeshje, 42 gola e 27 asistime. Po ashtu i ka 24 paraqitje për Kosovën dhe katër gola.
Te Baseli, Kololli do të punojë me Fabio Celestinin, të cilin e kishte trajner te Laussane. Celestini e çmon Kolollin, që ka luajtur për skuadra si Sion, Le Mont, Biel-Bienne, Young Boys, Lausanne Sport e Zuerich.
“Benjamin Kololli impresionon me shpejtësinë e tij, forcën fizike dhe statistikat e mira. Këto janë arsyet pse kemi shprehur interesim për të gjatë këtij viti. Benjamini mund të përdoret në pozita të ndryshme dhe sjell me vete përvojë të madhe, që do të duhej t’i ndihmonte ekipit tonë në fushë dhe jashtë saj”, ka thënë Ruedi Zbinden, anëtar i komisionit sportiv të Baselit.
Në kategorinë e dytë të Japonisë, Kololli këtë vit kishte 11 ndeshje e një gol. Dy gola e një asistim i kishte në gjashtë paraqitje për Kupë. Në elitën japoneze i kishte 28 ndeshje, tre gola e një asistim. Më së shumti ndeshje ka për Zuerichun – 92. Ka 59 ndeshje për Lausannen. Një kohë të gjatë Kololli ishte prej lojtarëve kryesorë te Kosova. Por pas transferimit në Japoni, gradualisht mbeti jashtë përfaqësueses. Së fundi ka luajtur më 5 qershor të vitit të kaluar ndaj Greqisë. Me kthimin në Zvicër, gjasat janë që Kololli të kthehet edhe te Kosova. Por kjo varet nga paraqitjet e tij në Superligën e Zvicrës dhe idetë e selektorit të ri të Kosovës, që nuk dihet ende se kush do të jetë.
“Mezi po pres ta veshi fanellën kuqekaltër dhe jam shumë krenar që do të luaj së shpejti në ‘Joggeli’. Kam luajtur në këtë stadium shumë herë, por tani jam i lumtur që mund ta bëj këtë si lojtar i Baselit dhe me tifozët e jashtëzakonshëm prapa meje. Do të jap çdo gjë për të qenë i suksesshëm me klubin. E njoh trajnerin dhe mezi pres të takoj të gjithë stafin dhe bashkëlojtarët”, ka thënë Kololli për sajtin zyrtar të Baselit.
Taulant Xhaka është kapiten i Baselit, ndërsa Leon Avdullahu po shndërrohet në lojtar të rëndësishëm te kjo skuadër. Leon Frokaj po e pret rastin.
Baseli nuk është në momentin më të mirë. Pas stinorit vjeshtor është në pozitën e parafundit me vetëm 18 pikë të mbledhura nga 18 ndeshje. E pret garë e fortë për të mbetur në Superligën e Zvicrës.