Përzgjedhësi i Uellsit, Rob Page, është shpërblyer për punën e tij të mirë me kontratë të re katërvjeçare. Federata e Futbollit të Uellsit ka njoftuar se Page do të jetë në krye të përfaqësueses deri pas përfundimit të Botërorit 2026.
Page në nëntor të vitit 2020 e mori rolin e përkohshëm të përzgjedhësit pas arrestimit të Ryan Giggsit, ndërsa në qershor të këtij viti firmosi kontratë deri në fund të Botërorit “Katari 2022”.
Page arriti ta kualifikojë Uellsin në Botëror pas 64 vjetësh dhe tani po përgatitet për duelet me Anglinë, SHBA-në e Iranin në kuadër të fazës së grupeve. Pas firmosjes së kontratës, Page ka thënë se ndihet i nderuar që do ta vazhdojë punën e tij te Uellsi.
Në fund të këtij muaji Uellsi do t’i luajë dy ndeshje me Belgjikën në kuadër të Ligës së Kombeve.