Skuadra e Milanit do të jetë pa mesfushorin Ismael Bennacer për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Klubi nga Serie A, ka bërë të ditur të martën se Bennacer do të qëndrojë jashtë fushës për të paktën gjashtë muaj pas operimit të ligamenteve të gjurit.
Mesfushori u lëndua javën e shkuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit, të cilën Milani e humbi me rezultatin 2:0.
Ai e ka kryer operimin në Lyon të Francës dhe së shpejti pritet ta fillojë rehabilitimin për t’u kthyer në fushë deri në fund të këtij viti.
25-vjeçari ka qenë titullar i rregullt këtë edicion te Milani, ku ka shënuar 3 gola dhe ka bërë 2 asistime në të gjitha garat. Ai është pjesë e Milanit prej vitit 2019 dhe ka kontratë deri në vitin 2027.