Mesfushori i Milanit, Ismael Bennacer, ka konfirmuar rikthimin e tij në fushë pas shtatë muajve pauze shkaku i lëndimit të gjurit. Bennacer, të enjten ka bërë të ditur se prej muajit të ardhshëm do të jetë i gatshëm për lojë dhe për ta ndihmuar ekipin e tij në arritjen e synimeve këtë edicion.
Bennacer prej muajit maj ishte jashtë fushe dhe mungesa e tij ishte e dukshme te Milani, duke pasur parasysh se algjeriani ishte njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të trajnerit Stefano Pioli.
“Me padurim po e pres rikthimin tim në fushë muajin tjetër, pasi dua ta ndihmoj ekipin. Pritja ka qenë e gjatë, por tani jam gati për ta kompensuar mungesën time”, tha Bennacer.
Ai këtë edicion nuk e ka asnjë paraqitje, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2027 me Milanin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2019.