Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Real Madridit, Mesut Oezil, i ka dhënë fund karrierës si futbollist aktiv pasi skuadra e Istanbul Bashakshehirit ia ka shkëputur kontratën të premten, kanë njoftuar mediumet në Turqi.
Edhe pse luajti të enjten te Bashakshehiri që u mposht nga Konyaspori, Oezil nuk është paraqitur fare në stërvitjen e së premtes duke e informuar klubin për vendimin e tij.
Kjo ka bërë që drejtuesit e Bashakshehirit të marrin vendim për t’ia shkëputur kontratën Oezilit.
Mesfushori këtë edicion ka pasur telashe të shumta me lëndimet, ndërsa ka regjistruar vetëm katër paraqitje në Superligën e Turqisë.
34-vjeçari iu bashkua Bashakshehirit para fillimit të këtij edicioni dhe kishte kontratë deri në verë. Ai në vitin 2021 u zhvendos në Turqi te Fenerbahçe për t’u suspenduar dhe larguar nga klubi i madh turk.
Oezil si lojtar është zhvilluar në Gjermani, ndërsa si profesionist ka debutuar te Schalke, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Werder Bremenit. Po ashtu, ai ka regjistruar 92 paraqitje me Gjermaninë dhe ka shënuar 23 gola.