Humbja e Norvegjisë nga Danimarka, të enjten mbrëma, ka rritur rëndësinë e ndeshjes që të dielën zhvillohet në Mitrovicë në mes të Kosovës e Norvegjisë. Për të dy përfaqësueset e basketbollit është ndeshja e parafundit në kuadër të raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Ndeshja Kosova – Norvegjia zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Minatori”, ndërsa “Dardanët” presin përkrahje të madhe nga tifozët. “Minatori” vlerësohet prej palestrave më të zjarrta në vend dhe kështu pritet të jetë të dielën mbrëma. Kosovës i duhet përkrahja e madhe në tentim për t’iu revanshuar Norvegjisë dhe për të bërë hapin vendimtar drejt kalimit në raundin e dytë të parakualifikimeve.
Kosova është në Grupin C, ku udhëheq Danimarka. Danimarka i ka tri pikë, sa i kanë edhe Kosova e Norvegjia. Të tri përfaqësueset kanë nga një fitore e një humbje. Kosova kishte humbur 86:77 nga Norvegjia më 25 nëntor të vitit të kaluar. Më pas e kishte mposhtur Danimarkën me shifrat 78:73, më 28 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë. Të enjten mbrëma Danimarka fitoi ndaj Norvegjisë me shifrat 84:68. Më 30 qershor është ndeshja Danimarka – Kosova, ndërsa më 3 korrik luajnë Norvegjia e Danimarka. Fituesi i grupit avancon tutje, njëjtë si përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë, prej tri grupesh sa janë gjithsej.
Te Norvegjia janë të vetëdijshëm që ndeshja vendimtare është ajo e të dielës në Mitrovicë. Norvegjezët të premten kanë arritur në Mitrovicë.
“Nëse fitojmë atë ndeshje, kthehemi në lojë”, ka thënë trajneri i Norvegjisë, Mathias Eckhoff. “Thjesht duhet të rifillojmë, të shohim pak Kosovën dhe të përgatitemi për ndeshjen në Mitrovicë. Kosova është më e fortë se që ishte herën e kaluar. Ka përfshirë në ekip një fundor amerikan. Do të jetë vështirë, por ne do të jemi gati”, ka shtuar Eckhoff.
Ai e ka pasur fjalën për fundorin Scott Bamforth, që është kthyer te Kosova pas më shumë se katër vjetësh. Bamforth pritet të ketë rol të rëndësishëm në organizimin e lojës dhe në finalizim të aksioneve.
Te Kosova kanë pasur më shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen me Norvegjinë. Kosova është grumbulluar fundjavën e kaluar, ndërsa me ardhjen e Bamforthit grupi është kompletuar.
Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, është i kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar përgatitjet.
“Për ne është shumë i rëndësishëm ky takim. Është vendimtar”, ka thënë Marmarinos për sajtin zyrtar të FBK-së.
“Jemi munduar të përgatitemi siç duhet për këtë sfidë dhe shpresoj të fitojmë. Ajo që mund të them është se do të japim më të mirën, duke shpresuar në rezultat pozitiv. Kemi një fitore e një humbje, duke shpresuar se do ta regjistrojmë fitoren e radhës. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Sigurisht që synojmë të avancojmë në rrethin tjetër. Besoj se me përkrahjen e tifozëve mund t’ia dalim”, ka shtuar Marmarinos.
Përfaqësuesja kthehet në palestrën ku e zhvilloi ndeshjen e parë kualifikuese si vendas. Kosova kishte debutuar në kualifikimet për “Eurobasket 2017”. Ndeshjen e parë e kishte luajtur në udhëtim ndaj Sllovenisë, më 31 gusht të vitit 2016. Ndërsa më 3 shtator të vitit 2016, Kosova kishte luajtur në “Minatori” me Ukrainën. Ukrainasit kishin fituar 70:63. Për një rezultat tjetër shpresohet për të dielën mbrëma.