Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje shokuese të dielën mbrëma në Mitrovicë. Kosova u mposht nga Norvegjia me shifrat 95:92. Ndeshja u vendos vetëm pas vazhdimisht prej pesë minutave. Pas 40 minutave lojë rezultati ishte i barabartë, 81:81.
Norvegjezët kanë bërë rikthim të madh për të fituar në fund. Kosova në shumë raste ka pasur epërsi prej 17 pikëve. Por norvegjezët nuk janë dorëzuar, me lojë të shpejtë kanë arritur të kthehen në rezultat. Fillimisht siguruan barazimin e në kohën shtesë edhe fitoren e madhe.
Ndeshja i takoi fazës së parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2025. Tani Norvegjia ka dy fitore e një humbje. Ndërsa Kosova ka një fitore e dy humbje dhe gjasat për avancim në raundin e dytë i zbehen shumë. Norvegjia në nëntor kishte fituar edhe në shtëpi, ndërsa në Prishtinë, Kosova e kishte mposhtur Danimarkën.
Kosova ka pasur përkrahje të madhe të dielën mbrëma në “Minatori”, por në fund tifozët nuk u shpërblyen me fitore. Të pranishëm në sallë ishin rreth 1500 shikues, përtej kapaciteteve të lejuara.
Kosova e nisi ndeshjen mirë dhe pas periudhës së parë kishte epërsi prej 27:15. Loja e mirë vazhdoi edhe në çerekun e dytë, i cili u takoi “Dardanëve” me shifrat 19:16. Kthimi i norvegjezëve nisi në çerekun e tretë, të cilin e fituan me 25:18. Periudha e katërt ishte dramatike, ndërsa përfundoi me shifrat 25:17 për Norvegjinë. Në vazhdim, norvegjezët shfaqën më shumë dhe shënuan fitore të madhe.
Basketbollistët e Kosovës kanë humbur shumë gjuajtje të pastra në momentet kur vendosej ndeshja. Dhe kjo kushtoi në fund.
Edhe
Kosova me gjasa të vogla për kualifikim
Drilon Hajrizi e Erjon Kastrati u dalluan te Kosova. Hajrizi ndeshjen e mbylli me 18 pikë e gjashtë kërcime. Kastrati kishte 17 pikë, katër kërcime e katër asistime. Më efikasi ishte kapiteni Dardan Berisha me 27 pikë.
Te Norvegjia i pandalshëm ishte Harald Frey. Ai ndeshjen e mbylli me 38 pikë.
Kosova ndeshjen e fundit e luan më 30 qershor, në udhëtim ndaj Danimarkës. Por tani gjasat për avancim tutje i ka dukshëm më të vogla.