Dy trena me shpejtësi të lartë janë përplasur në Spanjë, duke bërë që të pezullohet qarkullimi në linjën hekurudhore që lidh Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, ka njoftuar të mërkurën operatori hekurudhor Adif.
“Qarkullimi në linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzia është pezulluar pas një përplasjeje nga pas mes dy trenave”, ka njoftuar Adif në një mesazh të publikuar në rrjetin social X.
Një tren i kompanisë Renfe dhe një i kompanisë Iryo u përplasën pak pas orës 09:00 me kohën lokale, duke bërë që dy vagonë të trenit Iryo të dilnin nga shinat, ka deklaruar një zëdhënës i qeverisë së rajonit të Kastiljes-La Mançës. Ai ka shtuar se shkaqet e aksidentit dhe numri i të lënduarve nuk janë përcaktuar ende.
Operatori hekurudhor Adif ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur mes qyteteve Mora dhe Orgaz dhe përfshiu një tren të shpejtësisë së lartë të kompanisë Renfe dhe një të kompanisë Iryo, të cilët po udhëtonin nga Madridi drejt Seviljes.
Manuel Galan, kryetari i bashkisë së Urdës, pranë qytetit qendror të Toledos, ka thënë se shërbimet e emergjencës i kishin kërkuar të përgatiste një palestër sportive për të strehuar të lënduarit.
Të paktën 10 të vdekur nga përplasja e trenave në Spanjë
Raportohet për 10 të vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të mërkurën në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur në provincën e Toledos.
Autoriteti shtetëror spanjoll për infrastrukturën hekurudhore ka njoftuar se qarkullimi i trenave mes Madridit dhe rajonit jugor të Andaluzisë ishte pezulluar të mërkurën në mëngjes, “pas një përplasjeje nga pas mes dy trenave”.
Një zëdhënës i qeverisë rajonale të Kastiljes-La Mançës, ku ka ndodhur aksidenti, ka thënë se shkaqet e përplasjes ende nuk janë përcaktuar.
Burime qeveritare i kanë thënë gazetës El País se të paktën 10 persona kishin humbur jetën dhe se aksidenti mund të ishte më i rëndë se katastrofa hekurudhore e Adamuzit në janar, ku humbën jetën 45 persona.