Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Danimarka mposht Norvegjinë, grupi i Kosovës bëhet interesant

Përfaqësuesja e Danimarkës në basketboll ka shënuar fitore të thellë ndaj Norvegjisë. Ndeshja e luajtur të enjten mbrëma në Naestved të Danimarkës përfundoi me shifrat 84:68. Ishte kjo ndeshje e Grupit C të raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Në këtë grup bën pjesë edhe Kosova.

Tani të tri përfaqësueset në grup kanë nga tri pikë, përkatësisht nga një fitore e një humbje. Danimarka udhëheq para Kosovës e Norvegjisë.

Në ndeshjen e parë, më 25 nëntor, Norvegjia fitoi ndaj Kosovës me shifrat 86:77. Më 28 nëntor, Kosova fitoi ndaj Danimarkës me rezultatin 78:73.

Të dielën është ndeshja Kosova – Norvegjia, që zhvillohet në Mitrovicë nga ora 19:00. Më 30 qershor Kosova luan në udhëtim me Danimarkën, ndërsa ndeshja përmbyllëse është ajo Norvegji – Danimarkë, më 3 korrik.

E para e grupit avancon në raundin e dytë të parakualifikimeve. Avancon edhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë, prej tri grupeve sa janë gjithsej.