Në stadiumin “Olympique Alassane Ouattara” të Abidjanit, Nigeria dhe nikoqiri i turneut, Bregu i Fildishtë, do të luajnë në finalen e Kupës së Afrikës.
Finalja zhvillohet të dielën dhe nis në orën 21:00.
Bregu i Fildishtë e synon trofeun e tretë të kësaj gare, por duhet ta mposhtë rivalin e vjetër, Nigerinë.
Nigeria ndërkohë e synon trofeun e katërt të Kupës së Afrikës, dhe përzgjedhësi portugez, Jose Peseiro, mund të mbështetet shumë në cilësitë e sulmuesit Victor Osimhen, futbollistit të vitit në Afrikë.
Nigeria ka fituar 1:0 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen e fazës grupore.
Golin e fitores e kishte shënuar kapiteni William Troost-Ekong.
Osimheni ndërkohë e ka shënuar vetëm një gol në këtë turne, ndërsa tre të tjerë sulmuesit të Napolit i janë anuluar për arsye të ndryshme.
Nigeria ka barazuar në ndeshjen e parë me Guinenë Ekuatoriale, ndërsa më pas fitoi ndaj Bregut të Fildishtë e Guineja Bissaut, me 1:0 në të dy ndeshjet.
Në 1/8 e finales, Nigeria eliminoi Kamerunin 2:0, Angolën 1:0 në çerekfinale, ndërsa ndaj Afrikës së Jugut fitoi pas ekzekutimit të penalltive, 4:2.
Bregu i Fildishtë ndërkohë fitoi 2:0 ndaj Guinea Bissaut në ndeshjen e parë, kurse pësoi humbje nga Nigeria dhe Guineja Ekuatoriale.
Tutje kaloi si njëra prej katër skuadrave më të mira të vendit të tretë.
Senegalin e eliminoi në 1/8 e finales pas ekzekutimit të penalltive 5:4.
Në kohën shtesë fitoi ndaj Malit 2:1, kurse Republikën Demokratike të Kongos e eliminoi pas fitores 1:0.