Kieran Trippier u bë transferimi i parë i Newcastle Unitedit nën pronësinë e re të klubit të udhëhequr nga Arabia Saudite. Trippier kaloi te Newcastle të premten, me trajnerin Eddie Howe, që ka thënë se shpreson që ardhja e mbrojtësit të Anglisë do të tërheqë lojtarë të tjerë për ta forcuar ekipin që po lufton për të mbetur në Premier League.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, 31-vjeçari Trippier është kthyer në Premier League nga Atletico Madridi për një dëmshpërblim që mendohet të jetë rreth 15 milionë euro, plus bonuset.
Ish-mbrojtësi i Tottenhamit ka nënshkruar kontratë për dy vjet e gjysmë dhe ardhja e tij te Newcastle sinjalizon nisjen e një epoke të re nën Howen, i cili u emërua trajner i ekipit në muajin nëntor.
Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së raundit të tretë të FA Cup ndaj Camridges, ekip i nivelit të tretë, Howe foli për profilin e klubit të tij.
“Është një shenjë se klubi ka një tërheqje të madhe dhe nuk po flas për financat këtu. Kierani nuk ka ardhur për përfitimet financiare të kontratës. Ai ka ardhur për klubin dhe për sfidën me të cilën përballet skuadra në momentin aktual, por edhe për vizionin afatgjatë. Kështu që mendoj se është një gjë e madhe për ekipin”, tha Howe. “Shpresojmë që me nënshkrimin e tij lojtarët e tjerë në mbarë botën potencialisht do ta shohin lëvizjen dhe do të ndajnë ëndrrën dhe vizionin e tij për atë që Trippier e sheh te Newcastle. Nëpërmjet Kieranit besojmë se do të tërheqim edhe shumë lojtarë të tjerë që tashmë i kemi në fokus”.
Edhe
Trippier do t’i bashkohet Newcastlet
Trippier, i cili u angazhua nga Howe në vitin 2012 kur ai ishte në krye të Burnleyt, fitoi La Ligën me Atleticon edicionin e kaluar. Por ai po e shijon rikthimin në Angli.
“Jam shumë i lumtur që do t’i bashkohem Newcastlet”, shkroi ai në Twitter. “Të gjithë e dinë se tifozët janë jashtëzakonisht të pasionuar pas klubit dhe unë do të jap gjithçka për ta. Mezi pres të nisi me stërvitjet”.
Mbrojtësi që ka 35 paraqitje me Anglinë mund të bëjë debutimin të shtunën, nëse dokumentet e tij deponohen me kohë. Newcastle, i cili nuk ka fituar trofe të madh që nga viti 1969, përballet me betejë vetëm për të qëndruar në Premier League këtë edicion. Zë vendin e parafundit në tabelë me vetëm një fitore në 19 ndeshje të luajtura deri më tani.
Por tre muajsh pas përfundimit të një blerjeje të diskutueshme nga një grup i udhëhequr nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, klubi ka një shans për të shpenzuar paratë. Newcastle është i lidhur me një listë të gjatë të lojtarëve që mund të jenë transferimet e mundshme deri në fund të këtij muaji.
Trajneri Howe nuk pranoi të komentojë për lojtarët individualë, me Lucas Dignen e Evertonit dhe mesfushorin e Juventusit, Aaron Ramsey, në mesin e atyre që janë vlerësuar si nënshkrime të mundshme. Por pranoi se mbetet me shpresë për më shumë transferime.
“Nuk ka garanci”, tha ish-trajneri i Bournemouthit. “Megjithatë, ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën. Kam besim të madh në drejtuesit e klubit, por nuk kam premtime”.
Edhe
Pas kthimit në Champions, Newcastle synon suksese në Evropë dhe Premier League
Çdo lojtar që merr në konsideratë transferimin te Newcastle do të jetë i vetëdijshëm se klubi është i zhytur në telashe për rënie eventuale nga elita. Por Howe tregoi neverinë e tij për klauzolat e largimit në kontrata.
“Ofrimi i klauzolave të rënies është një mënyrë e sigurt për të sjellë potencialisht lojtarë që nuk kanë motivimin e duhur”, tha ai. “Unë dua lojtarë që janë absolutisht të përkushtuar dhe nuk kanë kërkesa të tilla”.