Sport

Pas kthimit në Champions, Newcastle synon suksese në Evropë dhe Premier League

I mbështetur nga pasuritë saudite, Newcastle Unitedi është kthyer në Ligën e Kampionëve dhe këtë herë është gati ta dëshmojë veten në elitën e futbollit evropian. Është pikërisht ajo që parashikuan shumë njohës futbolli kur skuadra e pafat në Premier League u ble nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, në tetor të vitit 2021. Me kthimin në Champions, klubit tani i është dhënë platforma për t’i sfiduar çmimet më të mëdha të futbollit më shpejt se sa pritej. Një kthim në Ligën e Kampionëve pas një pritjeje 20-vjeçare i hap rrugën Newcastlet për të garuar në tregun e futbollit për lojtarët më të mirë të botës.

Lojtarë të kalibrit si Harry Kane dhe Neymar mund të jenë papritmas në radarin e Newcastlet. Klubi deri më tani ka bërë transferime relativisht të kujdesshme dhe jo luksoze, nën pronarët sauditë. Rreth 313 milionë dollarë janë shpenzuar për të transformuar klubin, por ende nuk ka asnjë lojtar superyll për t'u krahasuar me Erling Haalandin e Manchester Cityt ose Mohamed Salahun e Liverpoolit. Ka të ngjarë që Newcastlet t’i duhen 100 milionë më shumë për të sfiduar dominimin e Manchester Cityt në Premier League apo që të lë gjurmë serioze në Evropë. Skuadra e Pep Guardiolës fitoi titullin e pestë në gjashtë vjetët e fundit.

“Sfida bëhet më e vështirë sepse tani ne jemi bërë një ekip më i mirë dhe ka më pak lojtarë që do të na bëjnë edhe më të mirë”, pranoi trajneri Eddie Howe. “Kështu që ky afat kalimtar do të jetë shumë i madh për ne dhe shumë i rëndësishëm”.

Newcastle ishte në pozitën e parafundit të Premier Leagues dhe pa fitore gjatë gjithë edicionit kur u ble për 409 milionë dollarë më 7 tetor të vitit 2021. Prioriteti atëbotë ishte shmangia e rënies nga kategoria dhe duke pasur parasysh rregulloret strikte të ferplejit financiar (FFP), kishte pak shpresë për të përsëritur shpenzimet e tepruara të Cityt ose Paris Saint-Germainit, pavarësisht se sa të pasur ishin pronarët e rinj. Në edicionin e parë të plotë nën kontrollin saudit, Newcastle ka siguruar një kthim në skenën më të madhe të futbollit evropian në nivel të klubeve. Transferimet e klubit ishin më modeste prej atyre që prisnin tifozët pas blerjes, ndonëse paratë kanë qenë faktor kyç në rritjen e shpejtë të Newcastlet.

Reprezentuesi i Anglisë, Kieran Trippier u bind të bashkohej në luftën e Newcastlet për të shmangur rënien në janar të vitit të kaluar, pasi iu bashkua klubit nga Atletico Madridi.

“Kam rrezikuar kur iu bashkova Newcastlet por isha i bindur se do të bënim gjëra të mëdha”, tha Trippier.

Bruno Guimaraes, Chris Wood, Dan Burn dhe Matt Targett u transferuan gjithashtu në atë afat kalimtar të dimrit nën pronarët e rinj dhe trajneri Eddie Howe siguroi me lehtësi mbijetesën. Një shifër rekorde prej rreth 78 milionë dollarësh është shpenzuar që atëherë nga Newcastle dhe atë për sulmuesin Alexander Isak. Këto para e kanë sjellë Newcastlen deri këtu, por duket shumë larg sfidës për titull. Me gjithë suksesin këtë vit, i cili përfshin paraqitjen në finale të Kupës së Ligës angleze, ka pasur një ndjenjë se Newcastle i ka tejkaluar pritjet. Është ndihmuar gjithashtu nga kampanjat tejet të dobëta të skuadrave të rregullta në krye, si Liverpooli dhe Chelsea.

Me paraqitjen në Champions edicionin e ardhshëm, skuadra e Newcastlet mund të jetë shumë e vogël për t’i përballuar ndeshjet e shtuara që do të duhet të luajë. Do të jetë interesante të shihet se sa ambicioz është klubi kur identifikohen objektivat e transferimit këtë verë.

Arabia Saudite ka lënë një shenjë të madhe në sport vitet e fundit. Cristiano Ronaldo po luan për klubin saudit Al Nassr që nga janari dhe Lionel Messi ka gjasa të zhvendoset në Arabinë Saudite në verë kur i përfundon kontrata me PSG-në. Liga e Kampionëve do të ndihmojë në tërheqjen e lojtarëve, ndërsa paratë e pjesëmarrjes dhe mundësitë e sponsorizimit duhet t'u mundësojnë pronarëve të Newcastlet të investojnë më shumë fonde në projekt. Nuk dihet nëse emrat e yjeve si Kane apo Neymar mund të tundohen ende, por shihet si çështje kohe para se të transferohet një lojtar me të vërtetë i madh në klub.

Guardiola ka shpenzuar më shumë se 1 miliard dollarë për ta kthyer Cityn në forcën dominuese në Angli dhe ndoshta kampion evropian këtë edicion. Newcastle ka të ngjarë të shpërndajë burimet e tij në përpjekje për të zbutur hendekun me Cityn, në vend që të investojë shumë para në një ose dy yje botërorë. Ndërsa paratë pritet të shpenzohen, duket se tifozët e klubit tashmë kanë filluar të ëndërrojnë për suksese edicionin e ardhshëm. Ata duhet të presin afatin kalimtar të verës përpara se të ëndërrojnë për objektivat e mëdha – suksesin në Angli dhe Champions.