Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, është afër kalimit te Manchester City në Premier League. Një kalim i tij te kampioni i Anglisë do të ishte me vlerë të veçantë për futbolldashësit. Krahas kthimit të tij në futbollin anglez, do të rikthehej edhe një herë përballja e dy yjeve më të mëdha të futbollit në shekullin e ri.
Ai do të mund të përballet me Lionel Messin me të cilin luftuan për më shumë se 10 vjet rresht për titullin e lojtarit më të mirë në botë. Kjo pasi, City do të jetë në të njëjtin grup në Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germainin, ekip ku së fundmi ka kaluar Messi.
Ronaldo e Messi përballjet e famshme i patën në El Clasico mes Real Madridit e Barcelonës me të cilat klube fituan gjithçka që është e mundshme.