Një ndeshje miqësore kundër Olympiacosit shënoi herën e parë që një ekip elitar nga Ukraina luan futboll që nga fillimi i pushtimit rus të vendit. Shakhtar Donetsku është shumë i njohur me ndjenjën e humbjes së një shtëpie. Në vitin 2014, konflikti i udhëhequr nga Rusia në rajonet e Ukrainës e detyroi klubin të largohej nga stadiumi “Donbass Arena”. Nga atje, u zhvendos 1200 kilometra në perëndim për në Lviv, përpara se në vitin 2020 të vendosej në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Por pas ofensivës së fundit të Rusisë në të gjithë vendin, Shakhtari sërish e gjen veten të pastrehë, por këtë herë me pasoja shumë më të rënda. Nga këndvështrimi i futbollit, Shakhtari nuk ka asnjë ekip për të luajtur kundër tij, pasi Premier League e Ukrainës u shty për një kohë të pacaktuar, ndërsa lufta është ndezur në mbarë vendin.
Nga pikëpamja personale, lojtarët janë detyruar të futen në bunker dhe kanë parë derisa qytetet që ata i quajnë shtëpi janë shkatërruar, ndoshta duke mos ditur nëse miqtë ose familja e tyre kanë shpëtuar. Të shtunën e shkuar, megjithatë, Shakhtari ishte në gjendje të siguronte një copëz drite në mes të errësirës, pasi u kthye në fushë për herë të parë që nga mesi i muajit shkurt, duke u bërë klubi i parë i madh nga Ukraina që e bën këtë që nga fillimi i luftës. Mbi 2500 kilometra nga shtëpia në Athinë, Shakhtari u përball me Olympiacos në një ndeshje miqësore, dhe megjithëse u mundën 1:0 nga një goditje me kokë në pjesën e parë të Tiquinhos, përparësia për të gjithë të përfshirët ishte përhapja e mesazhit të paqes.
“Unë jam gjithmonë krenar për ekipin. Seanca e fundit stërvitore që ata e bënë ishte më 19 janar. Kur e pyeta nëse ishin gati të luanin të shtunën, ata thanë: ‘Darijo, ne jemi ukrainas, jemi gati për gjithçka!’”, tha drejtori sportiv i Shakhtarit, Darijo Srna, i cili luajti për këtë ekip për 15 vjet dhe ka një rekord prej 536 ndeshjeve të zhvilluara. “Ata patën vetëm një seancë stërvitore para miqësores me Olympiacosin, dhe ata po luanin së bashku për herë të parë në jetën e tyre - ne morëm shtatë ose tetë lojtarë në huazim nga Mariupol. Dmytro Myshnyov, kapiteni i Mariupolit, nuk i ka më shtëpinë, makinën, banesën e tij - ne e sollëm këtu për të luajtur për ne dhe ai është një simbol i Mariupolit. Ne jemi vërtet krenarë për këtë”.
Rreth 13.000 tifozë treguan mbështetjen e tyre nga tribuna, pavarësisht se ndeshja u organizua brenda një kohe të shkurtër, me 102 mijë euro të mbledhura nga shitja e biletave, që do të dhurohen për ata që vuajnë në Ukrainë. Një pjesë e stadiumit “Karaiskaki” ishte e mbyllur për tifozët, ulëset u mbushën me lodra në nderim për fëmijët e vrarë që nga pushtimi rus. Në fushë, lojtarët mbanin slogane “Stop Luftës” në pjesën e përparme të fanellave të tyre, me emrat e qyteteve ukrainase dhe jo emrat e tyre në pjesën e pasme.
“Është hera e parë që ndodh, një ekip nga Ukraina luan përsëri. Është një simbol i madh për ne, për botën dhe veçanërisht për Shakhtarin. Që kur presidenti ynë pyeti nëse mund të luanim në këtë lojë, ne i thamë ‘Po, duam. Është e rëndësishme për klubin, për botën’. Është një imazh i madh që mund ta transmetojmë për të gjithë”, pranoi trajneri i Olympiacosit, Pedro Martins. “Ne po vuajmë si ata, sepse vetëm disa muaj më parë ata ishin këtu si ne, duke luajtur në turnetë e mëdhenj – Shakhtar, Dynamo Kyiv, Dnipro. Ata kanë lojtarë fantastikë, ekipe fantastike. Futbolli është shumë i fuqishëm. Ai dërgon një mesazh të fortë për të gjithë. Ky ishte fillimi; do të ketë më shumë ndeshje të tilla dhe shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur që të ketë lojëra zyrtare për ekipet ukrainase”.
Pronari i Olympiacosit, Evangelos Marinakis, ia ka ofruar Shakhtarit mundësinë për të qëndruar në Athinë për dy muaj, zbuloi Srna, duke i ofruar klubit ambiente stërvitore dhe akomodim. Megjithatë, grupi ukrainas ka planifikuar më shumë ndeshje miqësore si në Evropë ashtu edhe në SHBA, me të gjitha të ardhurat që do të shkojnë për të mbështetur ata që kërkojnë ndihmë dhe kujdes urgjent në atdheun e tyre.
Edhe
Për Shakhtarin, paraqitja në Champions është detyrim ndaj Ukrainës
“Ne të gjithë e vlerësojmë vërtet mirëpritjen nga Olympiacosi. Që tifozët e Olympiacosit na mbështetën, është shumë e rëndësishme për ne, për Ukrainën. Situata në vendin tonë është shumë e vështirë dhe ne të gjithë lutemi për paqe dhe lutemi për vendin tonë. Futbolli është një nga mënyrat më të mira për të ndihmuar botën të kuptojë dhe të kujtojë vazhdimisht situatën tonë. Tani misioni ynë është t'u kujtojmë njerëzve dhe gjithë botës situatën tonë”, tha anësori i Shakhtari, Mykhaylo Mudryk.
Dhe, ndërsa Shakhtari ka humbur shtëpinë më parë, dëshira për t'u rikthyer në Ukrainë nuk është më e vogël se e çdo klubi tjetër, me synimin përfundimtar, natyrisht, që të kthehen për të luajtur ndeshjet e tyre në shtëpi në Donetsk.
“Nuk mund të gjesh një ekip që ka humbur dy shtëpi në tetë vjet. Në vitin 2014 humbëm Donetsk, ‘Donbass Arenan’, tifozët tanë, qytetin tonë, shtëpitë tona. U transferuam në Kiev dhe pas tetë vjetësh patëm luftë në Kiev. Thjesht, kërkoj që e gjithë bota të ndalojë luftën”, shtoi Srna. “Nuk mjafton vetëm të flasim, duhet të ndihmojmë për të ndaluar agresionin në Ukrainë. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndaluar. Sepse Ukraina nuk ka qenë në luftë për 44 ditë, ka qenë në luftë për tetë vjet. Ne kemi nevojë që bota të qëndrojë me ne; për të bërë diçka konkrete, jo vetëm për të folur”.