Me dy skuadra që luajtën në një stadium të zbrazët, qindra kilometra larg qyteteve të tyre, liga e futbollit të Ukrainës e filloi sezonin e ri të martën pas një ceremonie prekëse për nder të atyre që luftuan në luftën me Rusinë. Ndeshja hapëse në “Olympic Stadium” në Kiev, me një kapacitet prej 65,500 ulëseve e ku spektatorët nuk u lejuan të hynin, pa dy ekipe nga lindja e shkatërruar nga lufta, Shaktar Donetsk dhe Metalist 1925, duke luajtur pa gola.
Rezultati megjithatë ishte në plan të dytë. Kjo ishte ndeshja e parë e futbollit të nivelit të lartë e luajtur në vend që nga pushtimi i Rusisë në muajin shkurt. Vendimi për ta filluar kampionatin është vlerësuar si një shenjë shprese nga ukrainasit që janë gati të rivendosin njëfarë ndjesie të jetës normale. Vetë ndeshja ishte shumë larg normales.
Ukraina mbetet nën ligjin ushtarak dhe tubimet e mëdha publike janë ndaluar në kryeqytet përpara festës së Ditës së Pavarësisë, të mërkurën, për shkak të frikës nga bombardimet e mundshme ruse. Policia qëndroi përpara hyrjeve në stadium, në të cilin ishte rritur bari i keq për shkak se ishte i mbyllur për gjashtë muaj. Policia nuk lejoi asnjë tifoz të futej brenda tij, ndonëse interesimi nuk mungonte. Të martën u luajtën edhe tri ndeshje të tjera: Zoria – Vorskla 3:1, Chornomorets – Veres 0:1 dhe Kolos – Kryvbas 1:0. Ndërsa të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshja tjera të xhiros së parë.
“Kjo punë është për t’i treguar të gjithë botës se jeta në Ukrainë nuk është ndalur, por vazhdon”, insistoi trajneri i Shakhtarit, Igor Joviçeviq. “Futbolli është diçka që i lëviz emocionet e të gjithë shtetit dhe njerëzve që luftojnë për të gjithë ne. Kështu që futbolli është esencial për të gjithë Ukrainën për shkak se është frymëzim pas gjithë këtyre muajve të vështirë. Fillimi i kampionatit do t’i ndihmojë të gjithë ukrainasit të vazhdojnë jetën dhe po ashtu i tregon botës së futbolli po vazhdon të luhet në Ukrainë”.
Lojtarët e dy skuadrave – Shakhtarit e Metalistit - hynë në fushë me flamujt kombëtarë të Ukrainës të vendosur mbi supe dhe mbajtën një minutë heshtje, ndërsa emrat e qyteteve të Ukrainës ku kishin vdekur njerëz në luftë u shfaqën në një ekran të madh. Gjithashtu lojtarët dhe gjyqtarët e ndeshjes e dëgjuan një mesazh të shfaqur në ekran, nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ata para ndeshjes mbanin të veshura fanella me mbishkrime të njëjta, por vetëm dallonte emri i qytetit: “Donetsk. Ukraina do të fitojë” ishte mbishkrimi te lojtarët e Shakhtarit, ndërsa tek ata të Metalistit shkruante: “Kharkhiv. Ukraina do të fitoj”. Gjithashtu mbanin pano me mesazhin e fuqishëm: “Ne kemi kurajën e njëjtë”.
Lojtarët ngritën një flamur ukrainas në stadiumin që dikur i përkiste Danylo Myhalit, një kanadez me origjinë ukrainase. Në Lojërat Olimpike të Montrealit në vitin 1976, Myhal vrapoi në fushë duke mbajtur flamurin gjatë një ndeshjeje midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Lindore. I veshur me një këmishë të qëndisur, ai kërceu një valle popullore ukrainase përpara se të arrestohej.
Goditjen e parë simbolike të topit e bëri një ushtar ukrainas. Po ashtu në fanellat e nxehjes lojtarët e kishin të stampuar logon e forcave të armatosura të Ukrainës. Për dallim prej Shakhtarit, Metalisti këtë logo e kishte vendosur edhe në fanellat e ndeshjes, sikur sponsor gjeneral.
“Myhali gjithmonë ka ëndërruar ta sjellë këtë flamur në Ukrainë dhe sot më në fund kjo ndodhi”, tha presidenti Zelensky në mesazhin e tij. “Ky flamur po ngrihet në ceremoninë hapëse të kampionatit të futbollit të Ukrainës”.
Edhe pse ndeshja u luajt pa shikues, jashtë stadiumit të Kievit dëgjoheshin zëra të tifozëve që mundoheshin nga jashtë t’i përkrahnin futbollistët brenda fushës. Maksym Scherbyna, një tifoz i flaktë i Dynamo Kievit, ka mirëpritur kthimin e futbollit të Ukrainë. Ai tha se kjo është shumë e rëndësishme për ta motivuar popullin, i cili nuk po dorëzohet përballë agresionit rus.
“Me këtë ne i dëshmuam botës së lufta nuk na ndal. Vendi ynë ka pasur nevojë më shumë se kurrë për futboll, pasi ky është një sport që i bashkon njerëzit dhe i bën më të fortë”, u shpreh 35-vjeçari.
Në të vërtetë lufta ka pasur një efekt shkatërrues te klubet e futbollit, në veçanti atyre më të vogla dhe me financa më të dobëta. Dy ekipet elitare, FC Mariupol dhe Desna, janë lejuar që mos të marrin pjesë këtë sezon për t’u kthyer në sezonin e ardhshëm në Premier League. Porti i Mariupolit është shkatërruar nga bombardimet e vazhdueshme të Rusisë, ndërsa stadiumi i Desnas në qytetin verior të Chernigivit është qëlluar nga një raketë ruse. Vendimi për të filluar edicioni në ri në futboll në Ukrainë ka ardhur ekskluzivisht nga presidenti Zelensky, i cili ka konstatuar se nëpërmjet ndeshjeve do ta ngrihet morali i shtetit. Shumica e klubeve ndeshjet si vendas nuk do t’i luajnë në qytetet e tyre, por në regjionet më të sigurta, në perëndim të Ukrainës.