Sport

Ndeshjet e shumta në Kosovë të arbitrit të dënuar malazez

Ognjen Jokiq është gjyqtar i basketbollit me thirrje të FIBA-s, nga Mali i Zi. Por Jokiq ka refuzuar të bashkëpunojë në një hetim të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Dhe për këtë arsye aktualisht është i suspenduar nga FIBA. Suspendimi është për pesë muaj dhe përfundon më 7 gusht të këtij viti.

FIBA javën e kaluar e ka përjashtuar përjetë nga basketbolli arbitrin kosovar Daut Mehmeti. Mehmeti është përjashtuar nga FIBA për kurdisje dhe bastvënie ilegale.

Janë të paktën tri ndeshje të Ligës Ballkanike që FIBA i vlerëson të kurdisura e për të cilat është dënuar Mehmeti. Në të tri ndeshjet ai ka referuar bashkë me Jokiqin.

Drejtimi i përbashkët i ndeshjeve në Ligën Ballkanike me Mehmetin nuk është lidhja e vetme e Ognjen Jokiqit me basketbollin kosovar.

Ai ka drejtuar shumë ndeshje të skuadrave kosovare në Ligën Ballkanike. Ka drejtuar edhe shumë ndeshje në Kosovë, kryesisht të Ligës Ballkanike.

Për shembull, më 3 nëntor të vitit të kaluar në “Sezai Surroi” në Prizren drejtoi ndeshjen Bashkimi – Milenijum Kodio. Bashkimi pësoi me rezultat 66:58. Ndeshjen Jokiq e drejtoi si gjyqtar i parë, ndërsa Xhelal Mumini e Ioannis Agrafiotis ishin dy gjyqtarët e tjerë. Menjëherë, më 4 nëntor, Jokiq ishte në Pejë. Në Prizren për ndeshje të Bashkimit ishte prapë më 17 nëntor të vitit të kaluar e më 23 nëntor ishte në Pejë. Ndeshje të Pejës ka drejtuar edhe më 30 nëntor në Podgoricë. Më 20 dhjetor Jokiq i bëri tjetër vizitë Pejës, i deleguar nga Liga Ballkanike. Ndeshjen Peja – Hapoel Beer Sheva e drejtoi më 29 dhjetor të vitit të kaluar. Në muajin shkurt i ka drejtuar edhe dy ndeshje të Bashkimit në Bullgari.

Ndeshjen e fundit të evidentuar në Ligën Ballkanike e ka më 2 mars.

Në edicionin 2021/2022 ka drejtuar edhe ndeshje të Sigal Prishtinës në kryeqytet e po ashtu në vende të tjera.

Në kuadër të Ligës Ballkanike ka drejtuar shumë ndeshje të skuadrave kosovare, e në raste përkrah i kishte edhe arbitrat kosovarë.

Por Jokiq ka drejtuar edhe ndeshje të Superligës së Kosovës. Në fakt FBK-ja, kryesisht me kërkesë të klubeve, por edhe për arsye të tjera, ka sjellë herë pas here arbitra të huaj për ndeshjet e Superligës. Kjo kishte ndodhur edhe në janar të vitit 2020.

Jokiqi si gjyqtar i parë ishte i deleguar në ndeshjet Ponte Prizreni – Peja dhe Rahoveci – Sigal Prishtina.

Sjellja e referëve të huaj pos kostos financiare ka edhe rrezikshmërinë e saj. Më herët këtë vit FBK-ja largoi dy arbitra nga Greqia, para një ndeshjeje të rëndësishme, për shkak të një takimi të paautorizuar të tyre me një person të panjohur në gjysmë të natës. Sigal Prishtina kishte akuzuar se arbitrat grekë kanë tentuar të manipulohen për të kurdisur ndeshjen në të mirë të Trepçës. Trepça kishte mohuar akuzat dhe kishte kërkuar hetime të menjëhershme. Hetimet kanë nisur, por pa ndonjë informatë tjetër deri më tani.

Dyshohet për një rrjet të përfshirjes në kurdisjen e ndeshjeve të basketbollit. Baste në ndeshje të kurdisura janë vënë deri në Kinë. Përfitimet ilegale vlerësohet se janë të mëdha.

FIBA kishte nisur hetimet ndaj Daut Mehmetit një vit më parë. Prej kur FIBA kishte nisur me hetime, FBK-ja e kishte suspenduar atë. Dyshohet për të paktën edhe një njeri të basketbollit nga Kosova të përfshirë në këtë rrjet.