Vetëm katër skuadra kanë garuar deri më tani këtë edicion në Ligën Ballkanike në basketboll. Njëra prej tyre është Sigal Prishtina, që ka dy fitore e një humbje. Për shkak të interesimit fare të vogël, edicioni në Ligën Ballkanike nisi me shumë vonesë. Madje mezi nisi.
Liga Ballkanike në vitet e fundit ka humbur shumë nga rëndësia dhe imazhi, ndër të tjera për shkak të dyshimeve shumë të fuqishme për kurdisje të ndeshjeve. Për shembull, arbitri kosovar, Daut Mehmeti, është përjashtuar nga basketbolli përjetë për shkak të dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve kryesisht në Ligën Ballkanike. Ka pasur dyshime për përfshirje edhe të personave të tjera, ndër të tjera edhe të arbitrit nga Mali i Zi që ka drejtuar tri ndeshjet e Prishtinës në këtë edicion në BIBL. Ai arbitër madje deri në verë ishte i dënuar nga FIBA.
Ndonëse garë pa ndonjë rëndësi dhe me imazh të goditur, Peja ka vendosur t’i bashkohet. Për të nisur garimin në Ligën Ballkanike po e pret vetëm konfirmimin nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Pos Prishtinës, në BIBL janë Lovqeni dhe Plevla nga Mali i Zi dhe AEL-i qipriot. Për disa javë në tabelë ishte vendosur edhe një skuadër bullgare, që tashmë është zëvendësuar me Pejën.
Aktualisht nuk dihet se kur do të zhvillohen ndeshjet e ardhshme në Ligën Ballkanike. Nuk dihet as kur do të luajë Peja e as kur do të luajë Prishtina, që nuk ka luajtur ende ndaj qipriotëve.
Orar në faqen zyrtare nuk ka. Kishte orar vetëm për ndeshjet e luajtura deri më tani. Ndonëse ligë gati kaotike, kampionia e Kosovës, Peja, pritet të jetë pjesë e saj.
“Nëse Bordi i FBK-së e aprovon kërkesën tonë, po, do të marrim pjesë. Arsyeja është që të kemi sa më shumë lojëra ndërkombëtare dhe që na mungon vetëm edhe kjo kupë”, ka thënë Fatmir Gashi, kryetar i KB Peja. “Javën e ardhshme Bordi i FBK-së ka mbledhje ku merret vendimi, që shpresoj të jetë pozitiv”, ka shtuar Gashi.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka kohë që është distancuar nga Liga Ballkanike. KOHA ka mësuar se kjo është bërë edhe për shkak të dyshimeve që e kanë rrethuar këtë ligë të drejtuar nga Shay Shtriks. FBK-ja madje nuk publikon asgjë në faqen zyrtare lidhur me paraqitjen e Prishtinës në këtë garë, që nuk ka ndonjë lidhshmëri me sistemin garues të FIBA-s. Njëjtë pritet të ndodhë edhe me Pejën.
Bordi i FBK-së ka miratuar kërkesën e Prishtinës dhe me gjasë do ta miratojë edhe kërkesën e Pejës. Vetë përfshirja e një skuadre pasi janë luajtur shumë ndeshje dhe madje në fund të dhjetorit apo fillim të janarit, tregon për gjendjen në të cilën është Liga Ballkanike aktualisht.
Liga Ballkanike tashmë e ka zyrtarizuar kthimin e Pejës. Vjet Peja kishte arritur deri në finale të kësaj lige.
“Dua të uroj KB Pejën për stinorin në FIBA Europe dhe i dëshiroj mirëseardhje në Ligën Ballkanike. Jam i sigurt se duke e pasur atë, me të gjitha ekipet tjera të respektuara që tashmë po luajnë në BIBL, do t’u ofrojmë gjithë tifozëve të basketbollit ndeshje të shkëlqyera deri në fund të stinorit”, ka thënë Shay Shtriks, drejtor i Ligës Ballkanike.
Shtriks e ka lënë të hapur mundësinë që në BIBL të përfshihen edhe skuadra nga Izraeli. Por momentalisht ligën e tij po e mbajnë gjallë Prishtina dhe Peja, dy skuadrat nga Mali i Zi dhe ajo nga Qipro.