Sport

Tjetër fitore e Prishtinës në ligën që FBK-ja nuk e paraqet fare

Sigal Prishtina e ka luajtur të martën mbrëma ndeshjen e radhës në Ligën Ballkanike në basketboll. Dikur shumë e njohur dhe prezente në Kosovë, Liga Ballkanike tashmë nuk paraqet ndonjë vlerë.

Në ndeshjen që Prishtina e fitoi ndaj Plevlës së Malit të Zi, të martën mbrëma, në palestër ishin rreth 100 shikues. Ndeshja u zhvillua në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.

Liga Ballkanike mezi ka nisur edicionin e ri garues, ndërsa Sigal Prishtina vendosi t’i bashkohet asaj. Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës pranoi kërkesën e Prishtinës për të garuar në Ligën Ballkanike. Por kjo ligë duket sikur nuk ekziston për Federatën e Basketbollit të Kosovës. FBK-ja nuk ka njoftuar që njëra prej skuadrave më të mëdha në vend do të garojë në Ligën Ballkanike. Nuk ka paralajmëruar asnjë lojë të saj dhe nuk ka shkruar asnjë raport pas ndeshjeve. Ndërkohë, FBK-ja prezanton rregullisht të gjitha ndeshjet e Superligës, ndërsa përcjell rregullisht edhe garat në ligat e tjera vendore. Por jo Ligën Ballkanike.

Edicionin e kaluar, FBK-ja kishte katër shkrime të shkurtra për paraqitjen e Pejës në finale të Ligës Ballkanike. Në vjeshtën e vitit 2022 kishte njoftuar që Peja e Bashkimi do të garojnë në këtë ligë, ndërsa njoftime të tjera nuk kishte lëshuar. Tani nuk e paraqet fare Ligën që në vitet e kaluara ishte shumë e dyshimtë për kurdisje të ndeshjeve. Ka shumë vjet që FBK-ja është distancuar nga Liga Ballkanike, që drejtohet nga izraeliti Shay Shtriks.

“Kemi mjaftueshëm çka të shkruajmë për ligat tona, ngjarjet tona. Kështu që jemi në rregull nëse nuk shkruajmë për këtë ligë. Prioritetet e federatës kanë ndryshuar. Fokusi është në garat tona dhe në garat e Ligës së Kampionëve dhe FIBA Europe Cup, përkatësisht te paraqitja e skuadrave tona në këto liga. Lidhur me prezantimin e kësaj lige as që është diskutuar në Federatën e Basketbollit”, kanë thënë nga FBK-ja për KOHËN.

Aktualisht në Ligën Ballkanike po garojnë vetëm katër skuadra, ndonëse në tabelë janë paraqitur pesë. Pos Plevlës nga Mali i Zi garon edhe Lovqeni, ndërsa nga Qipro është AEL-i. Në tabelë është paraqitur edhe skuadra bullgare, Akademik Plovdiv, që megjithatë nuk e ka luajtur asnjë ndeshje.

Prishtina më 22 nëntor pësoi nga Lovqeni në Cetinje me rezultat 90:83. Këtë skuadër e mposhti më 6 dhjetor në Prishtinë me rezultat 96:65. Nuk ka termin të caktuar për ndeshjen me skuadrën qipriote.

Në ndeshjen e së martës ndaj Plevlës, gjyqtar i parë ishte malazezi Ognjen Jokiq. Deri më 7 gusht ai ishte i suspenduar nga FIBA. Për befasi, Jokiqi ka drejtuar edhe dy ndeshjet e para të Prishtinës.

Prishtina fitoi 107:82, pas dominimit të plotë ndaj skuadrës nga Mali i Zi.

Është pritur që Sigal Prishtina të garojë në ligën ENBL, ku u paraqit edhe edicionin e kaluar. Por ENBL-ja e përjashtoi skuadrën prishtinase për shkak që nuk kreu obligimet që kishte.