Sigal Prishtina ka luajtur tri ndeshje në Ligën Ballkanike në basketboll në edicionin aktual. Më 22 nëntor Prishtina u mposht në Cetinje nga Lovqeni. Më 6 dhjetor e mposhti në shtëpi Lovqenin, ndërsa më 12 dhjetor po në Prishtinë e mposhti Plevlën, ekipin tjetër nga Mali i Zi.
Në ndeshjen e parë arbitra ishin malazeztë Ognjen Jokiq, Sava Cetkoviq dhe Stefan Kuburoviq.
Jokiq e Cetkoviq ishin edhe në ndeshjen e dytë, së bashku me Milutin Gligoroviqin. Në ndeshjen ndaj Plevlës sërish arbitër kryesor ishte Ognjen Jokiq. Pos tij referuan edhe Stefan Kuburoviq dhe Kenan Gusmiroviq.
Në Ligën Ballkanike së fundi është bërë pjesë edhe Peja, kampionia në fuqi e Kosovës. Më 25 janar Peja e mposhti Lovqenin në palestrën “Karagaçi”.
Kush ishin arbitra?
Rastësi apo jo, sërish ndeshjen e drejtoi Ognjen Jokiq së bashku me Sava Cetkoviqin dhe Stefan Kuburoviqin.
Peja dy ndeshjet e ardhshme në Ligën Ballkanike i luan këtë javë. Do të paraqitet në Mal të Zi. Të martën prej orës 17:30 takohet me Plevlën. Të mërkurën prej orës 18:00 përballet me Lovqenin.
Rastësi apo jo, Jokiq do të jetë arbitër i parë edhe në këto dy ndeshje. Në Plevla do ta drejtojë ndeshjen me Milutin Gligoroviqin e Rade Vlavoviqin. Në Cetinje, Jokiq do të drejtojë ndeshjen e Pejës me Sava Cetkoviqin dhe Stefan Vukoviqin, sipas të dhënave të paraqitura në sajtin zyrtar të Ligës Ballkanike në basketboll.
Arbitri nga Mali i Zi, Jokiq, është emër i njohur në basketbollin kosovar. Tashmë ka drejtuar shumë ndeshje në Kosovë. Është përmendur si i dyshuar për kurdisje në rastin e Daut Mehmetit, të përjashtuar për jetë nga basketbolli, me vendim të FIBA-s.
Jokiq po ashtu është dënuar nga FIBA.
Ishte i suspenduar për pesë muaj për refuzim të bashkëpunimit me hetime të FIBA-s. Suspendimi i kaloi më 7 gusht të vitit të kaluar. Ai ka vazhduar të referojë, ndërsa po i drejton shumicën e ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Dhe deri më tani të gjitha ndeshjet e skuadrave kosovare në këtë ligë.
Liga Ballkanike ka humbur vlerën që kishte në të kaluarën. Këtë edicion mezi i bëri pesë skuadra. Madje Peja është përfshirë në ligë shumë më vonë se skuadrat e tjera. Për këtë arsye e ka vetëm një ndeshje të luajtur.
Pos dy skuadrave nga Kosova dhe dy skuadrave nga Mali i Zi, pjesë e Ligës Ballkanike është vetëm edhe skuadra qipriote, PAYABL EKA AEL.
Federata e Basketbollit e Kosovës nuk e paraqet Ligën Ballkanike në faqen zyrtare. Kjo dëshmon për raportet thuajse të ngrira mes dy organizatave. FBK-ja megjithatë ka dhënë leje që Prishtina e Peja të bëhen pjesë e kësaj lige.
Qëndrim tjetër kanë në FBK lidhur me arbitrat kosovarë. Ata nuk janë lejuar t’i bashkohen Ligës Ballkanike këtë edicion.
Në të vërtetë shumica e ndeshjeve për të cilat është dënuar për jetë arbitri Daut Mehmeti ishin të Ligës Ballkanike.
“E ka miratuar kërkesën e KB Peja për të luajtur në Ligën Ballkanike. E ka refuzuar kërkesën e Ligës Ballkanike për delegimin e personave zyrtarë të ndeshjeve nga Kosova”, shkruan në vendimet e Bordit të FBK-së të 27 dhjetorit të vitit të kaluar.
Peja e Prishtina synojnë ta fitojnë titullin në Ligën Ballkanike. Pos me lojtarët e këtyre dy skuadrave, tifozët e basketbollit në vend me shumë mundësi do të mësohen edhe me Jokiqin.
