Te Napoli janë të shqetësuar pas lajmit për lëndimin e sulmuesit Victor Osimhen, i cili është i grumbulluar me Përfaqësuesen e Nigerisë.
Osimhen është detyruar ta lëshojë fushën në ndeshjen miqësore të Nigerisë kundër Arabisë Saudite, e cila përfundoi të premten me rezultatin 2:2.
Osimhen ishte titullar dhe pasi mori një goditje, u rrëzua në tokë dhe menjëherë kërkoi zëvendësimin.
Napoli ende nuk ka dalë me komunikatë zyrtare pasi është në pritje të rezultateve në lidhje me lëndimin e Osimhenit. Megjithatë, mediumet italiane raportojnë se sulmuesi nigerian mbetet në dyshim për tri ndeshjet e rëndësishme të Napolit, që i luan me Veronën e Milanin në kuadër të Serie A dhe Union Berlinin në Ligën e Kampionëve.