Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Napoli rikthehet në Champions, i vendosur për sezonin historik

Napoli rikthehet në Ligën e Kampionëve këtë javë dhe është në rrugën e duhur për të pasur një sezon të spikatur në futbollin evropian dhe në të gjithë historinë e klubit. Çerekfinalet e garës elitare të klubeve evropiane më në fund po kthehen për Napolin, i cili ka një epërsi 2:0 nga ndeshja e parë përpara se të presë Eintracht Frankfurtin në “Stadio Diego Armando Maradona” të mërkurën.

Vetëm tri nga 12 skuadrat e mbetura në Champions kryesojnë ligat e tyre vendase - Napoli, Bayern Munichu e Benfica - dhe epërsia prej 18 pikësh në Serie A është deri më tani më dominuesja. Real Madridi që pret Liverpoolin me një epërsi 5:2 është loja magjepsëse e katër ndeshjeve të kthimit në 1/8 e finales, edhe pse vetëm madrilenët nuk kanë shumë gjasa për titullin e kampionit në La Liga. Napoli pothuajse e ka të sigurt për të qenë kampion i Italisë vetëm për herë të tretë në historinë e tij, titulli i parë ky që nga viti 1990 dhe hera e parë pa Maradonan në skuadër. Megjithatë, edhe me ikonën e Argjentinës, Napoli dy herë nuk arriti ta kapërcejë raundin e dytë të Kupës së vjetër Evropiane pas atyre titujve të viteve 1987 dhe 1990 në Serie A. Napoli, gjithashtu, kurrë nuk kaloi fazën e 1/8 së finales në epokën e Ligës së Kampionëve që filloi në 1992. Por, kjo duket se do të ndryshojë të mërkurën. Është gjithashtu një hap i madh për trajnerin veteran të Napolit, Luciano Spallettin, i cili nuk ka çuar një ekip në çerekfinale të Championsit që nga viti 2008 me Romën. Kjo është tentativa e shtatë e Spallettit që atëherë, edhe pse e para me Napolin pas dështimit me Romën, Zenitin dhe Interin. Interi, i cili nuk ka qenë në çerekfinale që kur doli në këtë fazë si kampion në fuqi në vitin 2011, është në epërsi 1:0 ndaj Portos për ndeshjen e kthimit që luhet të martën mbrëma. Manchester City pret Leipzigun të martën me skuadrat që barazuan 1:1 në duelin e parë. Një sezon evropian i ngjeshur në mënyrë unike i ndarë në dysh nga një pushim për Kupën e Botës premtoi surpriza dhe Napoli ndoshta ka përfituar nga pushimi i lojtarëve kryesorë. Sulmuesit efikas, Victor Osimhen dhe Khvicha Kvaratskhelia, nuk ishin të përfshirë në Katar sepse përfaqësueset e tyre, Nigeria dhe Gjeorgjia, respektivisht, nuk u kualifikuan. Ylli i Eintrachtit, Randal Kolo Muani, shkoi në Kupën e Botës, pothuajse duke fituar finalen për Francën me një rast të minutës së fundit, por nuk do të luajë në ndeshjen e kthimit ndaj Napolit. Kolo Muani është pezulluar për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e parë. Gjithashtu, në Napoli mund të mungojnë tifozët e klubit gjerman, të cilët autoritetet lokale donin t'i ndalonin nga qyteti pas përleshjeve në Frankfurt tri javë më parë. Eintrachti fitoi një vendim gjyqësor të shtunën kundër ndalimit, megjithëse veprime të mëtejshme ligjore priten përpara së mërkurës. Kampioni në fuqi, Real Madridi, me siguri nuk do të humbasë epërsinë me tri gola kundër Liverpoolit në stadiumin e vet. Nuk ka gjasa, megjithëse Reali u eliminua si kampion në fuqi katër vjet më parë kur u mposht me tri gola në stadiumin “Santiago Bernabeu” në 1/8 e finales. Kjo ishte kundër një Ajaxi, i cili fitoi 4:1 për të përmbysur humbjen 2:1 në ndeshjen e parë. Liverpooli e fitoi atë titull të vitit 2019, por asnjë ekip nuk e ka kapërcyer kurrë një deficit prej tri golave ​​në ndeshjen e dytë jashtë shtëpisë në Ligën e Kampionëve. Liverpooli ndoshta mund ta bëjë këtë nëse skuadra që mposhti Manchester Unitedin 7:0 shfaqet në Madrid. Ndoshta, jo me versionin që humbi 1:0 në Bournemouth të shtunën. Manchester City është i pamposhtur në shtëpi në Champions për më shumë se katër vjet. Kjo ecuri përfshin fitoren 6:3 ndaj Leipzigut në fazën e grupeve dy sezone më parë. City, gjithashtu, ka fituar të gjashtë ndeshjet në shtëpi në garat vendase në vitin 2023. Zgjerimi i serisë në shtatë do ta dërgojë klubin në çerekfinale për të gjashtin vit radhazi nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola dhe në përpjekjen e tij për të qenë kampion evropian për herë të parë. Guardiola e ngriti trofeun për herë të fundit 12 vjet më parë me Barcelonën. Shorti i fazës çerekfinale hidhet të premten në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës. Është faza e parë që ekipet nga i njëjti vend mund të përballen me njëra-tjetrën. Shorti do të hidhet gjithashtu për gjysmëfinalet, duke përcaktuar rrugën drejt finales që luhet më 10 qershor në Stamboll. Gjithashtu, të premten, hidhen shortet për raundet e fundit me eliminim direkt në Ligën e Evropës të nivelit të dytë dhe në Ligën e Konferencës të nivelit të tretë.