Sport

Interi i motivuar me arritjen në finalen e Championsit, viziton kampionin e ri të Italisë

Edhe pse ka arritur në finalen e Ligës së Kampionëve, Interi nuk është ende i sigurt se do të luajë në Champions edicionin e ardhshëm. Katër skuadrat e para në Serie A kualifikohen në garën elitare të Evropës.

Interi është i treti në tabelë dhe ka pesë pikë më shumë se Milani i vendit të pestë. Interi mund të sigurojë një vend në Champions të dielën nëse e mposht në udhëtim Napolin, kampionin e ri të Serie A, dhe rezultatet e tjera shkojnë në favorin e tij. Dueli mes Napolit e Interit nis në orën 18:00.

Interi duhet të jetë shumë më i gatshëm për këtë përballje sesa Napoli. Napoli ishte kampion në ardhje për muaj të tërë dhe më në fund fitoi titullin dy javë më parë. Mes festimeve, Napoli ka shënuar një fitore dhe një barazim. Ka të ngjarë të ketë më shumë skena feste në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Kanë mbetur edhe pak synime për Napolin këtë edicion. Është ende e mundur që skuadra e Luciano Spallettit të thyejë rekordin e klubit prej 91 pikësh, të arritura nën drejtimin e Maurizio Sarrit në vitin 2018. Skuadra ka 83 pikë, me tri ndeshje për të luajtur deri në fund të këtij edicioni në Serie A. Ky pa dyshim që është një mision i vështirë për Napolin, derisa Interi mund ta mbyllë edicionin me tripletë. Ndonëse nuk është plotësisht tripletë që mund ta fitojë Manchester City – Championsi, Premier League dhe Kupa FA – tek Interi po besojnë në një arritje të tillë. Interi e ka fituar Superkupën e Italisë në janar, ka finalen e Kupës së Italisë kundër Fiorentinës të mërkurën e ardhshme dhe më pas finalen e Ligës së Kampionëve kundër Cityt muajin tjetër. Finalja Inter – City do të luhet më 10 qershor në Stamboll.

“Finalja e Championsit është ëndërr e realizuar. Ne prej fillimit të edicionit kishim synimet e qarta dhe tani fokusi është ta përfundojmë atë me tre trofe. Nuk jemi larg këtij suksesi, pasi luajmë në dy finale dhe na nevojiten dy fitore”, u shpreh Lautaro Martinez, sulmuesi i Interit. “Edhe derbi kundër Napolit është i rëndësishëm për ne, pasi duam të sigurojmë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër para finales me Cityn. Për finalen ende nuk po mendojmë pasi fokusi është në Serie A”.

Interi kundër Napolit është shumë i motivuar pasi po synon ta mbyllë edicionin fuqishëm. Është në një seri prej tetë fitoresh, përfshirë këtu pesë në kampionatin italian. Ndryshe nga Napoli që tashmë është në festë, Interi ka ende punë për të bërë përpara se të fillojë të festojë.

Napoli do t’i ketë dy mungesa të rëndësishme për këtë derbi të xhiros së 36-të në Serie A. Mesfushori Kvicha Kvaratskhelia do të mungojë për shkak një lëndimi që e pësoi të enjten në stërvitje, ndërsa sulmuesi Victor Osimhen nuk është stërvitur fare me ekipin këtë javë për shkak të gripit.

“Sigurisht humbja gjithmonë të bën të ndihesh keq, por tani kjo mund të ndodhë për shkak të arsyeve të ndryshme. Ne duam të mbajmë ritmin dhe nivelin e lartë të lojës që e kemi treguar gjatë tërë këtij edicioni, por futbollistët janë lodhur pasi nuk kanë kursyer asgjë nga vetja për titullin e kampionit. Ne do të fokusohemi për ta mbyllur edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të tregojmë paraqitje të mira deri në fund. Kjo është e rëndësishme”, ka thënë trajneri i Napolit, Luciano Spalletti.