Sport

Napoli dhe Milani përgatiten për duelin e parë, prej tre sa i kanë brenda 17 ditëve

Gjatë tri javëve të ardhshme, trajneri i skuadrës së Milanit, Stefano Pioli, do të ketë tri shanse për të bërë diçka që e ka bërë vetëm një herë më parë: të mundë homologun e tij te Napoli, Luciano Spalletti.

Milani viziton të dielën liderin e shkëputur të Serie A, Napolin, përpara se të përballet me skuadrën nga jugu në dy ndeshje çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Të tri ndeshjet do të luhen për 17 ditë.

“Tani është ndeshja e Serie A dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Napoli ka lojtarë të mrekullueshëm dhe po kalon një sezon fantastik”, tha Pioli. “Por Liga e Kampionëve është ndryshe. Të gjitha skuadrat janë mbresëlënëse dhe kjo na jep shumë motivim për t’u paraqitur mirë”.

Pioli ka arritur vetëm një fitore në 13 ndeshje kundër skuadrave të drejtuara nga Spalletti. Tri ndeshje përfunduan baras. Dy nga nëntë fitoret e Spallettit, kur ai ishte trajner i Romës, kontribuuan në largimin e Piolit, fillimisht nga Parma dhe më vonë nga Lazio. Një humbje tjetër nuk ka gjasa të shohë Piolin të humbë punën këtë herë, por kjo mund të dëmtojë shanset e Milanit për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Skuadra është në vendin e katërt në Serie A - vendi i fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve - një pikë përpara Romës dhe tri pikë përpara Atalantas. Vetëm shtatë pikë e ndajnë skuadrën e vendit të dytë nga skuadra e vendit të gjashtë.

Ndërkohë, Napoli është 19 pikë përpara Lazios të vendit të dytë dhe pothuajse e ka të garantuar titullin e parë të Serie A që kur Diego Maradona udhëhoqi skuadrën drejt dy titujve të vetëm, në vitin 1987 dhe 1990. Napoli ka fituar 23 nga 27 ndeshjet në Serie A këtë sezon, duke humbur vetëm dy herë, ndërsa ka shënuar 64 gola. Paraqitja e ekipit të Spallettit ka mahnitur pothuajse të gjithë.

“Në verë Napoli humbi lojtarë të rëndësishëm dhe solli ata që ishin të fortë, por pak të njohur”, tha Pioli. “Ishte vërtet e vështirë të parashikohej se do të kishte një sezon si ky. Napoli ka treguar forcë dhe vazhdimësi, që janë karakteristikat e një ekipi të madh. Por askush nuk është i pamposhtur”.

Liga është një gjë tjetër, por arritja deri në çerekfinale në Ligën e Kampionëve është një territor i pashkelur për Napolin. Klubi nuk ka arritur kurrë më parë në çerekfinale të garës kryesore të klubeve evropiane.

Milani ka përvojë shumë më të suksesshme, duke fituar titullin evropian shtatë herë. Por Milani nuk ka luajtur në çerekfinale që nga viti 2012 dhe nuk ka shkuar përtej kësaj faze që nga titulli i fundit, në vitin 2007.

“Ne jemi veçanërisht të lidhur me këtë garë për shkak të traditës që ka Milani”, tha Pioli. “Ne po përpiqemi të shkruajmë historinë tonë. Të luash në çerekfinale është diçka emocionale. Por për të siguruar që ky është një vit pozitiv, ne duhet të luajmë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm, dhe kjo duhet të ndodhë përmes ligës”.