Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri Spalletti në prag të momentit më të madh në karrierë

Luciano Spalletti kaloi disa vjet duke punuar si trajner në Udine dhe në të njëjtin qytet verior italian është gati të shijojë arritjen e tij më të madhe në karrierë me Napolin. Napoli luan në Udinese të enjten, dhe i duhet vetëm një pikë për t'i dhënë fund pritjes së gjatë për titullin e kampionit në Serie A. Në fakt, Napoli qysh tash mund të konsiderohet kampion i Italisë dhe atë falë punës së madhe të Spalletit. Stili inovativ i Spallettit u shfaq për herë të parë premtues kur ai ishte trajner i Udineses gati dy dekada më parë. Ai udhëhoqi klubin provincial drejt vendit të katërt dhe paraqitjes në Ligën e Kampionëve.

“Unë jam shumë i afërt me shumë njerëz në Udine”, tha Spalletti të mërkurën. “Njerëzit thonë se kam një karakter të vështirë, por kjo bie ndesh me faktin se kam kaluar një kohë të gjatë në stolin e pak skuadrave. Është e vështirë të gjesh dikë tjetër që ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij vetëm me katër ose pesë ekipe”.

Pavarësisht se ka stërvitur më vonë ekipe të mëdha si Interi dhe Roma, 64-vjeçari Spalletti ka pritur një jetë për titullin e ligës italiane. Ai fitoi dy trofe të Kupës së Italisë me Romën në vitin 2007 dhe 2008, ndërsa më pas u shpall kampion i Rusisë me skuadrën e Zenitit në vitet 2010 dhe 2012. Napoli nuk ka triumfuar në Serie An qëkur Diego Armando Maradona udhëhoqi ekipin drejt dy titujve të vetëm në histori të klubit, në vitin 1987 dhe 1990. Skuadra nga jugu i Italisë, pati një shans për të siguruar titullin e kampionit në shtëpi të dielën e shkuar, por Salernitana shënoi gol në fund të ndeshjes për të barazuar 1:1 dhe për të pezulluar festën e Napolit.

“Duke parë tifozët tanë të zhgënjyer, na tronditi”, tha Spalletti. “Duke parë stadiumin se si na bëri të kuptojmë se çfarë jemi në prag të realizimit, kjo është ajo që kam ëndërruar që kur erdha këtu. E imagjinoja një stadium si ky, me shalle, flamuj, fëmijë të gjithë në ngjyrat e Napolit. Duhet të jetë një festë për të gjithë”.

Napoli ka fituar vetëm tri Kupa të Italisë në 33 vjet që nga titulli i fundit i ligës. Dhe Spalletti shpreson se fitimi i titullit të Serie A këtë sezon do të nisë një cikël fitues për klubin, i cili gjithashtu arriti në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve për herë të parë në historinë e tij këtë vit.

Edhe Spalletti do ta mbajë flamurin e qepur nga mamaja e tij me vete tek Italia Sport Spalletti do ta mbajë flamurin e qepur nga mamaja e tij me vete tek Italia

“Unë kam një ekip shumë të mirë dhe jam i lumtur që në një kohë të shkurtër djemtë kanë treguar të gjitha cilësitë dhe karakterin e tyre”, tha Spalletti. “Unë shoh potencialin për të ardhmen, atëherë sigurisht që varet edhe nga afati kalimtar dhe gjërat që mund t’i bëjmë sa u përket përforcimeve për sezonin e ri”.

Në fakt, Spalletti ka besim të madh që Napolit nuk do t’i mungojnë sukseset as edicionin e ardhshëm.

“Me bindje të plotë e them se kam një skuadër të shkëlqyer që ka perspektiva të mira për të ardhmen dhe mund t'u japë një vazhdimësi këtyre rezultateve”, ka insistuar trajneri italian.

Nëse Napoli nuk arrin të marrë rezultatin që i nevojitet në udhëtim te Udinese për titullin e kampionit, atëherë do të ketë edhe pesë shanse të tjera për të siguruar pikën e vetme që i duhet për të vulosur matematikisht titullin – pavarësisht se si performon Lazio i vendit të dytë.

“Po e shijojmë ngadalë, ngadalë”, tha Spalletti në dialektin napolitan.

Zyrtarët e qytetit në Napoli, në pamundësi për të parashikuar se kur do të nisin festimet e titullit, po mendojnë të vendosin një ndalim trafiku në qendër nga e enjtja, gjë që e bënë edhe të dielën.

Edhe Garcia nuk frikësohet ta zëvendësojë Spallettin te Napoli Sport Garcia nuk frikësohet ta zëvendësojë Spallettin te Napoli

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime sigurie në lidhje me fluturimin e ekipit për në Napoli nga Udine. Më shumë se 10.000 tifozë e pritën ekipin në aeroport pas fitores në Juventus nëntë ditë më parë dhe ky numër ka të ngjarë të rritet nëse Napoli fiton titullin. Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, tha se skuadra mund të zbarkojë herët të premten në mëngjes ose pasdite. Ekipi gjithashtu mund të ridrejtohet në një aeroport tjetër. Gjithashtu janë duke u bërë plane për të shfaqur ndeshjen kundër Napolit në ekranet gjigante të stadiumit e Napolit.

“Ne jemi duke instaluar tetë ekrane gjigante për të vendosur dy para secilës tribunë për t'i lejuar napolitanët ta shikojnë ndeshjen”, tha De Laurentiis. “Ka probleme organizative dhe nuk kemi shumë kohë kështu që po kërkojmë një çmim simbolik prej 5 eurosh për secilin. Për më tepër, festimet që kishim përgatitur do të ndodhin të dielën në ndeshjen në shtëpi kundër Fiorentinës”.