Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka shënuar gol në fitoren 2:1 të Fenerbahçes ndaj Kayserisporit. Muriqi realizoi nga penalltia në minutën e 87-të për rezultatin 1:1, ndërsa Luiz Gustavo shënoi gol të bukur në minutën e 88-të për fitoren e Fenerbahçes. Ndeshja e së premtes mbrëma ka shënuar rifillimin e Superligës së Turqisë në futboll.
Por Fenerbahçe luan ndeshje shumë më të rëndësishme të martën. E pret Trabzonsporin në gjysmëfinale të Kupës së Turqisë. Ndeshjen e parë të luajtur më 3 mars në Trabzon e kishte fituar skuadra vendase me shifrat 2:1. Muriqi kishte shënuar në atë ndeshje.
“Ne kemi kaluar kohë të vështirë. Futbolli i vendit, futbolli botëror ka pasur kohë të vështirë. Pas dy muajve pushim, kemi pasur kohë të vështirë, pavarësisht se sa jemi munduar të mbajmë formën. Natyrisht, është vështirë pasi kemi stërvitur pak në fushë. Po ashtu nuk kemi fituar për shtatë xhiro. Kohë e gjatë për ne. Ndonëse kemi pasur edicion të keq vitin e kaluar, nuk kemi pasur asnjëherë një seri të tillë. Ne kemi bërë rikthim të mirë. Do të shërbejë për të ngritur shumë moralin për të martën. Shpresojmë se do të arrijmë finalen në shtëpinë tonë të martën”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të Fenerbahçes.
Ai është aktivizuar në pjesën e dytë, për shkak të një lëndimi që e ka pasur. Ai po e sanon një lëndim muskulor.
“Kur kam folur me trajnerët, mjekët, më kanë thënë se nëse luaj shumë do të jetë keq. Nuk kemi dashur të rrezikojmë shumë, por nëse do të ishte e nevojshme unë do të luaja në pjesën e dytë. Nuk kemi ushtruar për dy muaj me ekipin, nuk kemi pasur ritmin e duhur”.
Edhe
Muriqi vazhdon me gola, shënon në humbjen e Fenerbahçes
Tribunat e stadiumit të Fenerbahçes janë mbushur me kartonë me figura të njerëzve. Ndeshjet në Turqi luhen pa shikues.
“Është e pazakontë për futbollistët që të luajnë pa shikues. Sidomos për ne që jemi mësuar të kemi përkrahjen e tifozëve edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqija. Na ka penguar qetësia. Na është dashur shtytja që na japin ata. Kartonët janë dukur bukur. Ne kemi duartrokitur pas ndeshjes sikur tifozët të ishin në tribuna”.