Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, pas disfatës nga Dukagjini të dielën me rezultatin 2:0, ka kërkuar që të luhet futboll i pastër dhe skuadrat më meritore të fitoj titullin kampion. Ai indirekt ka bërë thirrje që të shmangen kurdisjet. Munishi shpreson që futbolli në Kosovë të rregullohet dhe ekipet që meritojnë të jenë pjesë e garave evropiane. Ai prononcimin pas ndeshjes e nisi me një deklaratë të fuqishme.
“Jam trajneri më i mirë, nuk jam më karizmatiku, tani kjo ka dal prej përdorimit”, tha Munishi për të folur më pas për ndeshje. “Nuk është problemi te Gjilani, Dukagjini ka bërë një ndeshje të mirë. Dukagjini kur luan me 11 lojtarë është i rrezikshëm por kur luan me dhjetë futbollistë, edhe Barcelona kur luan me dhjetë lojtarë është e dobët. Jemi duke e kultivuar një frymë sportive, jemi duke dhënë shembull në Superligë. Dukagjini ka fituar me meritë. Tentuam në pjesën e dytë, krijuam shumë raste por ishte portieri Altik Muhaxhiri që intervenoi shumë mirë. Në një ndeshje të tillë 25 raste nuk mund t’i keni, nuk i shfrytëzuam mundësit tona. Në pjesën e parë nuk isha i kënaqur me një futbollist, aty ishte i gjithë problemi. Në pjesën e dytë treguam fytyrë tjetër por në ndeshje të tillë nuk mund të shënosh nëse nuk i shfrytëzon rastet”, ka theksuar Munishi.
Ndonëse i matur, Munishi ka lënë të kuptohet se po flet për dyshimet për kurdisje. “Te ne po ndikojnë psikoligjikisht disa faktorë të tjerë. Tani po dëgjojmë në Kosovë dhe po ndikojnë faktorë të tjerë dhe për këtë apelojmë te të gjithë ta rregullojmë futbollin, të luajmë futboll të pastër. Por çfarë po dëgjoj nuk është aspak e mirë. Të fitohet titulli kampion me meritë dhe skuadrat të dalin në Evropë me meritë. Është ky një mesazh për të mirën e futbollit”, deklaroi Ismet Munishi.