Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur përballë Dukagjinit të enjten në stadiumit të qytetit të Gjilanit.
Gjilani mposhti Dukagjinin me rezultatin 2:1, në ndeshjen që i takoi javës së 21-të të elitës së futbollit kosovar. Me fitoren e arritur, Gjilani ka thyer edhe rekordin për serinë prej 18 ndeshjeve pa humbje.
“Kishim pak fat, pasi Dukagjini krijoi rastet e veta. Por kështu e ka futbolli, nganjëherë nuk e do. Fituam duke u mbrojtur dhe duke sakrifikuar. Jam i kënaqur me rekordin që kemi vendosur dhe kjo seri në aspektin psikologjik na ndihmon shumë. Një fitore me një lojtar më pak në fushë, është fitore e madhe. Fizikisht jemi një skuadër e mirë, kemi lojtar me përvojë të madhe dhe kualitet të jashtëzakonshëm. Dukagjini bëri një ndër paraqitjet më të mira prej se është në Superligë dhe më vjen keq, pasi luajtën mirë. I inkurajoj Armend Dallkun dhe Dukagjinin të vazhdojnë tutje dhe t’i marrin ndeshjet një nga një. U dëshiroj suksese në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Munishi pas ndeshjes. Me këtë fitore, Gjilani është ngritur në vendin e dytë me 42 pikë, sa ka edhe lideri Ballkani. Dukagjini zë vendin e nëntë me 18 pikë.