Futboll

Ismet Munishi: Nuk jemi rastësisht në vendin e parë

Ismet Munishi

Tri fitore rresht. Pesë gola të shënuar e asnjë i pranuar.

Këto shifra nuk e entuziazmojnë Ismet Munishin, ani pse skuadra e tij, Dukagjini, është në vendin e parë në Superligën e Kosovës në futboll.

Pas xhiros së katërt Dukagjini i prin tabelës me nëntë pikë. Trajneri Munishi ka kërkuar nga lojtarët që të qëndrojnë me “këmbë në tokë”, të mos mendojnë për të ardhmen, të fokusohen dhe të vazhdojnë me formën e mirë.

“Kur e mora përsipër udhëheqjen e Dukagjinit, prioritet ishte ndërtimi i skuadrës. Kemi ndërtuar ekipin gjatë rrugës, me lojtarë që nuk kanë luajtur në ekipet e veta. Ka qenë ndryshe, kurse këtë vit të gjithë lojtarët i kemi pasur së bashku nga fillimi i fazës përgatitore. Lojtarët janë integruar mirë dhe kanë hyrë në formë. E kemi pasur më të lehtë këtë vit. Kemi krijuar atmosferë të mirë. Jemi klub shembull. Raportin me drejtuesit, tifozët dhe lojtarët e kemi jashtëzakonisht të mirë dhe ky është çelësi i suksesit. Nuk jemi të ngarkuar me ndonjë objektiv, por po analizojmë mirë kundërshtarët”, ka thënë Munishi për KOHËN, të hënën.

Ai thotë se nuk janë të rastësishme rezultatet e deritashme të skuadrës nga Klina.

Dukagjini e nisi edicionin me humbje në shtëpi. Pësoi në Klinë nga Prishtina me rezultat 3:2. Më pas nisi serinë e fitoreve. Në Klinë e mposhti Gjilanin 2:0, kurse Malishevën e mposhti 1:0 në udhëtim. Të dielën fitoi 2:0 edhe ndaj Ferizajt në Klinë.

Munishi numëron shumë faktorë që kanë ndikuar në formën e mirë.

“Kemi ruajtur bazën e ekipit, me përjashtim të dy largimeve. Kemi futur elemente të reja në ekip, kemi marrë lojtarë me përvojë që kanë përmirësuar karakterin e ekipit. Me përforcimet që kemi bërë, kemi përmirësuar në masë të madhe ekipin. Në fazën përgatitore e kemi parë sa të fortë jemi. Kemi treguar shpejtësi, karakter e disiplinë të madhe. Në skuadër kemi karakter shumë të fortë. Ka funksionuar shumë ardhja e lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj”, është shprehur Munishi.

Ai mori drejtimin e Dukagjinit më 4 qershor të vitit të kaluar. Më 29 maj të këtij viti vazhdoi bashkëpunimin me klubin nga Klina.

Munishi ka drejtuar edhe shumë klube të tjera në Kosovë. Pesë prej tyre luajnë këtë edicion në Superligë.

“Kemi raport të sinqertë në skuadër. Bisedojmë hapur me njëri-tjetrin për gjithçka dhe kjo na karakterizon si ekip. Kam qenë edhe në klube të tjera. Disa më donin, disa dëshironin të largohesha, disa punonin për të më mbajtur e disa për të më larguar. Por këtu është ndryshe. Këtu të gjithë e respektojmë njeri-tjetrin dhe luftojmë për njëri-tjetrin”, thotë Munishi.

Tekniku prishtinas thekson se pozita e parë nuk krijon presion shtesë te Dukagjini.

“Nuk jemi të ngarkuar me pozitën që kemi. Ne shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. E njohim ligën e Kosovës, por ajo që dua të them është se rezultatet tona nuk janë të rastësishme. Ne e dimë se do të humbim edhe ndeshje, nuk jemi Real Madrid as Barcelonë. Por po shihet që rezultate tona nuk janë të rastësishme”.

Dukagjini në edicionin 2023/2024 ishte pjesëmarrës në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Ishte ndalur në raundin e dytë kualifikues nga skuadra e madhe kroate, Rijeka.

Nëse gjërat shkojnë sipas planit, Munishi thotë se Dukagjini mund ta mendojë Evropën për edicionin e ardhshëm.

“Nuk e kemi menduar as Evropën, por nëse gjërat shkojnë kështu, atëherë Evropa vjen vetë. Klubet e kanë parë forcën tonë. E kanë parë se me çfarë skuadre kanë punë. Seriozisht jemi skuadër e fortë dhe e tillë do të jemi edhe në të ardhmen”, ka thënë Ismet Munishi.

Dukagjini në xhiron e pestë përballet me Drenicën në Skenderaj.