Përfaqësuesja e Uellsit do të shkojë në “Euro 2020” pa përzgjedhësin ngatërrimtar, Ryan Giggs, duke vënë në qendër të vëmendjes përpjekjen e Gareth Bale për të heshtur kritikët që insistojnë se sulmuesi ka kohë që e ka humbur oreksin e tij për sukses.
Mungesa e Giggsit, pas arrestimit të tij me akuzat e sulmit ndaj dy grave vitin e kaluar, do të hedhë një hije të keqe mbi Uellsin gjatë Kampionatit Evropian që nis më 11 qershor. Ish-ylli i Manchester Unitedit, Giggs, do të përballet me një gjyq në vitin 2022, pasi u akuzua për goditjen e ish-të dashurës së tij, Kate Greville, dhe kontrollimin e saj gjatë gjithë marrëdhënies së tyre. Giggs është akuzuar gjithashtu për sulmin e përbashkët të motrës së Grevillet, Emma, në të njëjtin incident.
47-vjeçari kishte marrë drejtimin e Uellsit në vitin 2018 dhe bëri një përshtypje pozitive ndërsa e udhëhoqi drejt kualifikimit në “Euro 2020”, që është vetëm paraqitja e dytë e uellsianëve në një turne të madh, pas garimit në Kupën e Botës në vitin 1958. Uellsi arriti deri në gjysmëfinale në “Euro 2016”, në debutim.
Por Giggs, i cili mohon akuzat, ka qenë me leje që nga nëntori i vitit të kaluar, përpara se të zëvendësohet përkohësisht nga Robert Page, i cili do ta udhëheq Uellsin në Evropian. Page ka fituar katër nga gjashtë ndeshjet e tij me Uellsin prejse ka zëvendësuar Giggsin, me humbjen e vetme kundër përfaqësueses së parë në botë, Belgjikës.
Që Uellsi të lulëzojë në mungesë të Giggsit, barrën kryesore për këtë e ka kapiteni Bale, i cili duhet ta përsërit formën e mirë që e pati një periudhë te Tottenhami sezonin e fundit, ku ishte huazuar nga Real Madridi. Megjithatë, ai nuk arriti t’i bind kritikët që insistojnë se dashuria e Bale për futbollin po zvogëlohet dita ditës. Edhe pse shënoi 16 gola, Bale nuk ishte në gjendje të kishte një ndikim të qëndrueshëm në kthimin e tij te Tottenhami, pas paraqitjeve të dobëta që i pati te Real Madridi. I penguar nga forma fizike dhe një marrëdhënie e ngrirë me Jose Mourinhon para shkarkimit të tij, Bale vështirë se e përgënjeshtroi teorinë se ai nuk ka më drejtimin e duhur për të dominuar në nivelin më të lartë. Duke festuar kualifikimin në Evropian të Uellsit, duke valëvitur një flamur ku shkruhej “Uellsi. Golfi. Madridi”, Bale ka një mundësi për të treguar se është ende lojtari fantastik që ka qenë më përpara.
Pavarësisht largimit të trajnerit Zinedine Zidane nga Reali që nuk e dëshiroi në ekip, Bale thuhet se po mendon të negociojë për të shmangur kthimin në Madrid, pasi ka kontratë deri vitin e ardhshëm.
Madje u sugjerua që fituesi i katër trofeve të Ligës së Kampionëve mund të linte futbollin krejtësisht dhe të provonte veten në golfin profesionist, një pretendim i refuzuar nga agjenti i tij, Jonathan Barnett. Bale ndezi spekulimet për të ardhmen e tij, kur u pyet në ndeshjen e fundit të Tottenhamit në Premier League kundër Leicester Cityt.
“Unë e di se çfarë po bëj, por thjesht do të shkaktojë kaos nëse them diçka. Kjo do të duhet të ndodhë pas Evropianit. Unë nuk jam duke menduar për asgjë tjetër përveç Uellsit dhe paraqitjeve të mira në Evropian”, insistoi Bale.
Pas suksesit përrallor të Uellsit, që arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2016”, Bale do të duhet të jetë në formën më të mirë të mundshme për ta përsëritur atë sukses edhe në këtë Evropian.
“Ne do të dëshironim të përsërisnim atë që bëmë në ‘Euro 2016’, por jemi realistë. Është një ekip tjetër, një turne tjetër”, pranoi Bale.
Ndeshjen e parë në “Euro 2012”, Uellsi e luan në Baku kundër Zvicrës më 12 qershor kurse me duelet ndaj Turqisë dhe Italisë, e mbyll fazën grupore. Pjesa më e madhe e Përfaqësueses së Uellsit, bën karrierë në nivelin e dytë të Anglisë, me mesfushorin 19-vjeçar Rubin Colwill që papritur u përfshi në ekip për Evropian pas debutimit të tij në muajin shkurt.
“Ai shpërtheu në debutim dhe i siguroi vetes një vend në ekip. Ai tashmë është një profesionist i nivelit të lartë”, tha Page për Colwillin.
Uells fitoi vetëm katër nga tetë ndeshjet kualifikuese, me dy nga ato fitore që erdhën kundër Azerbajxhanit. Përfundoi i dyti në Grupin E kualifikues pas Kroacisë. Uellsi shënoi vetëm dhjetë gola në tetë ndeshje kualifikuese, duke i bërë presion Balet të shkëlqejë.
Gjetja e një mënyre që mesfushori i Juventusit, Aaron Ramsey të kthejë formën fizike, do të jetë gjithashtu thelbësore për Uellsin në Evropian. Madje, Ramsey do të kursehet për ndeshjet miqësore, në mënyrë që të jetë plotësisht i gatshëm për Evropian.
“Parimet kryesore të Ryan Giggsit kur e mori për herë të parë ekipin nuk ndryshojnë, nëse ai është apo nuk është me ne. Futbollistët e dinë saktësisht se si ne presim që ata të luajnë”, tha Page.