Sport

Muja e pranon se skuadrës i mungon përvoja

Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja, ka thënë se skuadra e tij në pjesën e dytë të kampionatit e nisi mirë, por lodhja dhe mungesa e përvojës kanë ndikuar në rezultatet negative së fundmi.

“Mendoj që sidomos këtë sezonin e dytë filluam shumë mirë. Në pesë lojërat e para kishim një humbje dhe morëm 10 pikë. Një krizë e rezultateve erdhi më pas, luanim lojëra të mira por pa rezultate. Në 10-të ndeshjet e fundit kemi pasur shumë pak fitore. Ka mundësi të jetë faktor lodhja te lojtarët, por edhe në momente të caktuara nuk kemi pasur përvojë. Kemi pranuar shumë gola që është një fakt shumë i keq për ne, si vitin e kaluar, edhe këtë vit. Duhet t’i harrojmë të gjitha. Nuk e kemi menduar këtë situatë në fillim të kampionatit. Duhet ta lëmë prapa krizën dhe të shtunën të dalim fitimtar e me faqe të bardhë”, theksoi 22-vjeçari Muja, që ka shënuar 13 gola në edicionin 2020/21.