Sport

Mourinho i bindur se do të fitojë trofe me Tottenhamin

Jose Mourinho pret të kthejë Tottenhamin në skuadër që do të fitojë trofe, para se kontrata me klubin anglez t’i përfundojë.

Tekniku portugez mori drejtimin e Tottenhamit në nëntor, ndërsa firmosi për tri vjet. Ai zëvendësoi Mauricio Pochettinon, që kishte fillim të vështirë të edicionit.

Finalisti i Ligës së Kampionëve nuk ka fituar trofe që nga viti 2008, kur triumfoi në League Cup. Kampanja aktuale do të përfundojë pa trofe, po ashtu.

Sipas Mourinhos mund të duhet pak kohë që klubi nga Londra të përfundojë periudhën pa trofe. Ai ka përmendur Liverpoolin e Juergen Kloppit si shembull që durimi dhe firmosja me lojtarët e duhur, shpaguhet.

“Sa kohë i është dashur Juergenit dhe Liverpoolit?”, ka pyetur Mourinho gazetarët. Është përgjigjur vet natyrisht.

“Katër vjet, katër stinorë. Duke blerë njërin prej portierëve më të mirë në botë, duke blerë njërin prej mbrojtësve të qendrës më të mirë në botë dhe kështu me radhë”, ka vazhduar Mourinho.

Ai është i fokusuar në kontratën trevjeçare që ka.

“Besoj se gjatë kontratës time ne mund të fitojmë trofe. Nëse nuk fitojmë, por klubi fiton në epokën e re, nëse unë mbetem këtu vetëm për tri vjet, unë do të jem i lumtur për këtë. Unë punoj për klubin. Nuk mendoj për vete. Unë vazhdoj të them se ambiciet i kam të njëjta, ADN-ja ime është e njëjtë, por me gjasë jam në fazën kur shikoj më pak për veten dhe për bilancin tim dhe kur shikoj më shumë për klubin”, ka theksuar Mourinho.

Trajneri shumë i suksesshëm, është optimist pasi thotë se ka nisur të punoj që nga dita e parë. Ai pret të bëj ndryshime në skuadër, por pa investuar shumë.