Jose Mourinho u fut të enjten në jetë me klubin e ri, Romën, duke thënë se sfida e tij e fundit është më shumë një punë në progres, por duke u zotuar se trofetë do të vijojnë në kohën e duhur. Portugezi 58-vjeçar kthehet përsëri në Serie A, 11 vjet pasi udhëhoqi Interin drejt tripletës. Por, ai gjithashtu ka një arsye të fortë për t’u dëshmuar pas dështimeve të fundit që i pati si trajner. Mourinho u shkarkua pas një sezoni e gjysmë te Tottenhami në prill të vitit të shkuar, dhe gjithashtu shkarkimi i tij e arriti kulmin pas dy sezoneve e gjysmë në krye të skuadrës së Manchester Unitedit.
“Ju flisni për titullin dhe ne flasim për kohën, një projekt, punë. Titujt janë fjalë, premtime të lehta. Titujt do të vijnë”, këmbënguli Mourinho pas prezantimit të tij zyrtar ndërsa ai mbajti konferencë shtypi para rreth 70 gazetarëve italianë dhe të huaj. “Por klubi nuk dëshiron sukses të izoluar. Ai dëshiron të shkojë diku dhe të qëndrojë atje. Pra, nuk duam sukses sot dhe probleme nesër. Por, diçka të qëndrueshme me kalimin e kohës”.
Roma e ka mbështetur besimin e te Mourinho si një njeri, përvoja e të cilit në lojën kontinentale mund t'ia kthejë lavdinë e dikurshme, pasi ekipi përfundoi në pozitën e shtatë sezonin e shkuar në Serie A.
Suksesi i fundit i madh i Romës është në vitin 2008 kur triumfoi në Kupën e Italisë, ndërsa sa ipërket titullit të kampionit, klubi nga kryeqyteti italian e ka fituar vetëm dy herë – në vitin 1983 dhe 2001. Madje, të fundit e fitoi nën drejtimin e Fabio Capellos. Ky bilanc i vogël, deklaroi Mourinho, do të thotë se qëllimi i tij është të “ndërtojë” një klub në një mënyrë “të qëndrueshme” sesa të vijë me premtime për sukses të menjëhershëm, dhe ai theksoi se nuk ka ardhur te Roma për pushime, por për të punuar.
“Fjala ‘kohë’ nganjëherë nuk ekziston në futboll, por këtu ajo ekziston dhe është një fjalë themelore”, tha Mourinho, i cili krahas Interit, ka fituar trofe edhe me Porton, Chelsean e Real Madridin.
Mourinho në krye të skuadrës së Romës, e ka zëvendësuar një trajner tjetër nga Portugalia, Paulo Fonsecan që u shkarkua me të përfunduar edicioni 2020/21.
“Voila Mourinho! Një ditë e shkëlqyeshme për ne, hapi i parë drejt një mentaliteti të ndryshuar”, tha drejtori i përgjithshëm i Romës, Tiago Pinto që e bëri prezantimin e teknikut portugez.
Mourinho është trajneri i dhjetë që merr përsipër frenat e klubit brenda dy dekade, duke u kthyer te Claudio Ranieri që ishte trajneri i vetëm gjatë kësaj periudhe që qëndroi dy vite në krye të Romës (2009-2011). Drejtori Pinto duket se e siguroi Mourinhon se klubi do ta mbështeste atë në përpjekjet e tij për të krijuar një skuadër për të garuar me më të mirët, pasi ai komentoi se “ne kemi analizuar nevojat e ekipit dhe do të ketë një ekip të denjë për Mourinhon”.