Trajneri Jose Mourinho do të mbetet edhe për disa vjet në krye të skuadrës së Romës. “Calciomercato” ka shkruar të enjten se Mourinho pritet së shpejti ta rinovojë kontratën me ekipin italian që i skadon në vitin 2024. Në fakt, mësohet se palët tashmë kanë nisur negociatat, të cilat pritet të mbyllen me sukses deri në fund të muajit.
Me rinovimin e kontratës, Mourinho do të jetë trajner i Romës deri në verën e vitit 2026. Te Roma janë të kënaqur me punën e portugezit, të cilin po duan ta sigurojnë edhe për tri sezonet e ardhshme.
60-vjeçari është trajner i Romës prej verës së vitit 2021, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Tottenhamin, Manchester Unitedin, Chelsean, Real Madridin, Interin e Porton. Aktualisht, Roma zë vendin e katërt në Serie A.