Te Përfaqësuesja e Moldavisë insistojnë se janë maksimalisht të përgatitur dhe motivuar për ta mposhtur Shqipërinë. Në fakt, moldavët duan që Shqipërisë t’ia shtyjnë festën e kualifikimit në “Euro 2024” dhe këtë mund ta bëjnë vetëm nëse arrijnë ta mposhtin ekipin e brazilianit Sylvinho.
Shqipëria i prin Grupit E kualifikues me 13 pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara dhe në Moldavi i mjafton edhe një pikë për ta konfirmuar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Gjermani. Dueli mes Moldavisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet të premten prej orës 18:00 në “Zimbru Stadium” në Chishinau. Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave të luajtur në muajin qershor, Shqipëria triumfoi 2:0 në Tiranë. Në anën tjetër, Moldavia nuk di për humbje në shtëpi në këtë cikël eliminator dhe po synon fitoren e tretë në grup. Ka një fitore e dy barazime në tri ndeshje të luajtura në shtëpi. Zë vendin e parafundit me 9 pikë dhe fitorja eventuale do ta mbante në lojë për kualifikim në “Euro 2024” nga pozita e dytë. Përzgjedhësi i Moldavisë, Serghei Clescenco, në konferencën për shtyp të enjten, ka paralajmëruar Shqipërinë. Ai ka thënë se lojtarët e tij do të “vdesin në fushë” për ta mposhtur Shqipërinë. Kuqezinjtë, aktualisht kanë vetëm një humbje në këto eliminatore, të cilën ua shkaktoi Polonia në xhiron e parë. Pas kësaj disfate, Shqipëria ka një ecuri prej katër fitoreve e një barazimi dhe me një këmbë është në Evropianin e vitit të ardhshëm.
“Jemi stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2:0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet të premten. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë të premten sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë”, u shpreh Clescenco.
Clescenco insistoi se Moldavia edhe ndaj Shqipërisë do ta aplikojë lojën që e ka luajtur deri më tani në këto eliminatore. Ai gjithashtu pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve, të cilët i falënderoi për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit të tij deri më tani, në secilën ndeshje në shtëpi. Kështu që Clescenco pret përkrahje të njëjtë edhe ndaj Shqipërisë, pasi synon fitoren.
“Ne nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës për një ndeshje, ndaj sigurisht që do të provojmë të mbyllim hapësirat dhe të dalim shpejt. Gjithsesi dua të shoh të njëjtin shpirt gare si në ndeshjen ndaj Polonisë, kur përmbysëm gjithçka në pjesën e dytë. Do të kemi edhe përkrahjen e fansave tanë, që kanë treguar se janë gjithmonë aty dhe bëhen lojtari i 12-të për ne”, shtoi Clescenco.
Edhe
Sylvinho: Jam krenar me gjithë lojtarët
Selektori i Moldavisë tha se e njeh mirë Shqipërinë dhe ka përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Pranoi se kjo përballje është shumë e rëndësishme për Moldavinë, pasi ndeshjen e fundit kualifikuese e luajnë pas tri ditësh në udhëtim te Çekia.
“Unë e njoh Shqipërinë, pasi kemi luajtur më të jo shumë kohë më parë dhe humbëm. Shpresoj të kemi nxjerrë konkluzione dhe shpresoj për një rezultat pozitiv nesër. Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të kuptojnë rëndësinë e takimit. Po ashtu e kuptojmë përgjegjësinë që bie mbi ne”, shtoi ai.