Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kompletohet Shqipëria, Hysaj e Berisha vlerësojnë moldavët

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, kishte nën urdhra të gjithë lojtarët në stërvitjen e zhvilluar të martën paradite në Tiranë. Kombëtares kuqezi të hënën mbrëma i janë bashkuar Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku e Jon Mersinaj.

Pos tyre në stërvitjen e rregullt të martën u paraqit edhe Kristijan Asllani, që të hënën kishte ushtruar i diferencuar për shkak të një shqetësimi. Kuqezinjtë ushtrojnë në “Shtëpinë e Futbollit” edhe të mërkurën, ndërsa të enjten në mëngjes udhëtojnë për në Moldavi.

Ndeshja Moldavi – Shqipëri luhet të premten prej orës 18:00 në Chisinau. Kuqezinjtë kërkojnë kualifikimin në Evropian në këtë ndeshje. Por ndeshja nuk vlerësohet e lehtë.

Mbrojtësi i krahut, Elseid Hysaj, dhe portieri, Etrit Berisha, e kanë vlerësuar lartë formën e Moldavisë në kualifikimet për Evropian.

Hysaj, që është pjesë e skuadrës së Lazios, ka thënë se ndeshja me Moldavinë do të jetë shumë e vështirë. 29-vjeçari ka deklaruar të martën në konferencën për shtyp se Shqipëria duhet ta kërkojë kualifikimin në Chisinau. Shqipëria prin në grup me 13 pikë nga gjashtë ndeshje. Moldavia është në vendin e katërt me nëntë pikë nga gjashtë ndeshje, por ende ka gjasa.

Edhe Kuqezinjtë të përkushtuar për kualifikim Sport Kuqezinjtë të përkushtuar për kualifikim

Kuqezinjtë kanë nevojë vetëm për një pikë në dy ndeshjet e fundit për ta siguruar kualifikimin.

“Si ndeshje duket më e thjeshtë, sepse na duhet vetëm një pikë, por të themi të drejtën është një ndeshje me peshë, pasi që në qoftë se fitojmë do të jemi të kualifikuar dhe mund të kthehemi me një gëzim të madh në Shqipëri. Ndërsa po humbëm, do të jetë një presion më shumë për ne dhe do të kthehemi në Shqipëri për të luajtur ndeshjen e fundit. Të gjithë ne jemi me një mendim për të shkuar të përgatitur dhe të fitojmë këtë ndeshje, sepse duhet të kthehemi me gëzim dhe ta shijojmë këtë sfidë”, ka deklaruar Hysaj.

Hysaj ka shtuar se Shqipëria aktualisht e ka mbrojtjen më të mirë. Kombëtarja e Shqipërisë ka pranuar vetëm tre gola, ndërsa ka shënuar 11 në gjashtë ndeshjet e deritashme. Ka pësuar vetëm një disfatë, ashtu si Moldavia dhe Çekia.

Moldavia ende nuk ka pësuar disfatë në shtëpi.

Hysaj ka kujtuar edhe vitin 2016 dhe kualifikimin historik të Shqipërisë në Evropian.

“Është ndjesi e bukur kur kujtojmë ato momente të 2016-s, nuk mund t’i harrosh. Shpresoj që t’i shijojnë edhe djemtë e tjerë dhe ne bashkë me shokun tim të vjetër, Berishën. Është një kënaqësi, duhet të shkojmë atje me vëmendjen e duhur dhe të vijmë me fitore në Shqipëri”, shtoi Hysaj.

Edhe Moldavia e bindur se do ta shtyjë festën e Shqipërisë Sport Moldavia e bindur se do ta shtyjë festën e Shqipërisë

Përqendrim maksimal në të dyja ndeshjet ka kërkuar edhe Etrit Berisha.

Berisha 34-vjeçar erdhi në grumbullim pas ndeshjes pozitive që e pati me Empolin.

“Ndeshjen me Napolin e kam harruar dhe jam i fokusuar te kjo ndeshje me Moldavinë. E kemi entuziazmin dhe s’duhet ta humbim. Duhet të shkojmë në Moldavi me të gjithë respektin që kemi për të. Por, ne do ta bëjmë lojën tonë”, ka deklaruar Berisha.

Humbjen e vetme Moldavia e ka pësuar nga Shqipëria. Por, Berisha ka bërë të qartë se edhe ajo ndeshje ka përfunduar dhe tashmë i pret një sfidë e re, edhe më e rëndësishme.

“Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj. Ne i dimë kualitetet e tyre dhe kualitetet tona. Duhet të hyjmë sa më shumë të motivuar, që të kryejmë punë sa më parë që të jetë e mundur”, deklaroi futbollisti prishtinas.

Edhe Shqipëria e vendosur për fitoren e parë Sport Shqipëria e vendosur për fitoren e parë

Në garë për kualifikim në Evropian janë edhe Çekia dhe Polonia. Çekët kanë 11 pikë nga gjashtë ndeshje në vendin e dytë, kurse polakët janë në vendin e tretë me 10 pikë në shtatë ndeshje.

Ndeshja e fundit e Shqipërisë është më 20 nëntor ndaj Ishujve Faroe në Tiranë. Ka shumë shpresë që ajo ndeshje do të jetë festive.