Përfaqësuesja e Moldavisë ka udhëtuar të hënën për në Parma të Italisë, ku të enjten nga ora 20:45 zhvillohet ndeshja ndaj Kosovës.
Moldavët kanë nisur shumë më herët përgatitjet për ndeshjen e parë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova u grumbullua vetëm të hënën në Prishtinë, ndërsa moldavët tashmë janë në Parma.
Moldavia ka vendosur të organizojë ndeshjen në Parma, pasi nuk ka raporte diplomatike me Kosovën. Kosova vlerësohet favorite ndaj Moldavisë, që është në seri prej tetë humbjeve.
Selektori i Moldavisë, Engin Firat, të dielën publikoi listën përfundimtare për ndeshjet me Kosovën dhe Slloveninë.
Artur Ionita luan në Benevento të Italisë, Catalin Carp në Ufa të Rusisë, ndërsa lojtarët tjerë janë të kampionatit moldav dhe të klubeve nga Holanda, Portugalia, Rumania, Bjellorusia, Sllovenia, Turqia, Azerbajxhani e Lihtenshtajni.
UEFA ka vendosur që ndeshjen ta drejtojnë arbitra norvegjez. Kai Erik Steen do të jetë kryesor, ndërsa Jan Erik Engan dhe Tom Harald Gronevik do të jenë ndihmës të tij.