Me hedhjen më të mirë prej 18.60 metrash, Muhamet Ramadani ka siguruar medalje argjendi në garën më të fortë në të cilën është paraqitur deri më tani. Ramadani, që garon në hedhje të gjyles, të dielën u rendit i dyti në Kupën Evropiane të Atletikës në Hedhje, që u mbajt në Leira të Portugalisë. Ramadani, 19-vjeçar, garoi në grupmoshën U-23, pra për seniorët e rinj. Garën e fitoi turku Alperen Karahan me hedhjen më të mirë prej 19.81 metrash. Medalja e bronzit i takoi holandezit Mattijs Mols me hedhje prej 18.56 metrash. Garuan 12 atletë.
Në dy tentimet e para, Ramadani hodhi gjylen në largësi prej 18.29 metrash. Më të zbehtë e kishte hedhjen e tretë, 18.09 metra. Tentimin e katërt e kishte të pasuksesshëm, ndërsa në tentimin e pestë ishte më i suksesshmi, duke arritur distancën prej 18.60 metrash. Në tentimin e fundit gjylen e hodhi në largësi prej 18.27 metrash.
Me gjylen prej 7.26 kilogramësh, pra të seniorëve, Ramadani rezultatin më të mirë e ka 18.64 metra.
Në Kupën Evropiane të Hedheve janë paraqitur hedhësit aktualisht më të mirë në Evropë. Por ata kanë garuar në nivelin senior.
“Konkurrenca ishte shumë e fortë. Është gara më e fortë që e kam pasur deri më tani sa i takon konkurrencës”, ka thënë Muhamet Ramadani për KOHËN, pak kohë pas përfundimit të garës. Ai ka thënë se ishte më i riu në garën e hedhjes së gjyles në grupmoshën U-23.
“Përfundimisht është hap para në karrierën time. Kam shpresuar për vendin e tretë, por bëra hedhje të mirë dhe u rendita i dyti. Mendoj se kam mundur edhe disa centimetra më mirë. Por është mirë. Është rezultat për medalje të argjendtë”, ka shtuar atleti mitrovicas.
Ramadani vlerësohet shpresë e madhe e atletikës kosovare. Ai stërvitet nën kujdesin e babait, Shaban Ramadanit.
“Nuk e kemi pritur, është rezultat i mirë. Në dy muajt e fundit kemi pasur telashe për të ushtruar në ambient të hapur për shkak të temperaturave. Për shkak të borës, në tri ditët e fundit para udhëtimit kemi ushtruar fare pak, por kemi kompletuar një garë të mirë, të suksesshme”, ka thënë Shaban Ramadani.
Ai ka treguar se nuk janë të ngarkuar me rezultate të garave këtë vit. Më shumë janë të interesuar për t’i rritur centimetrat.
“Norma olimpike është synimi ynë kryesor. Për këtë vit synimi është që të arrijmë distancën prej 19 metrash. Synojmë në fakt të shkojmë deri në 19.20 metra. Gara në Portugali ishte e para ku ishin hedhësit elitarë, më të mirët në botë. Dhe e kemi parë që nuk jemi shumë larg prej tyre. Kemi qenë pak skeptikë sa u takon garave të seniorëve. Por sfidën e parë te seniorët e rinj e kemi kaluar me sukses. Tani na pret punë edhe më e madhe, por për këtë vit nuk jemi të ngarkuar me rezultate nëpër gara”, ka shtuar Shaban Ramadani.
Në këtë garë të hedhësve në atletikë ka garuar edhe Alaudin Sumiçi. Ai garoi të shtunën në hedhje të diskut, në kategorinë U-23. Mbeti i fundit (10) me hedhjen më të mirë prej 46.01 metrash. Martynas Alekna i Lituanisë u shpall kampion me hedhje prej 58.09 metrash.